English

Policia e Durrësit shoqëron pronarin e një objekti ku sot vdiq në punë 44-vjeçari

Durrës, 20 Prill NOA Update - Një 44-vjeçar ka gjetur vdekjen sot në Durrës gjatë një aksidenti në punë kurse policia ka shoqëruar në komisariat, pronarin e objektit.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se viktima është 44-vjeçari Famir Ymeri me banim në Durrës.

Në çastet fatale, sot në mëngjes, i ndjeri po merrej me rregullimin e një objekti, kur një pllakë mermeri është shkëputur nga lartësia e objektit duke i rënë mbi kokë.

"Si pasojë e goditjes së fortë 44-vjeçari ka marrë plagë të rënda", - thanë burimet në vendngjarje.

Ata pohuan se viktima është transportuar menjëherë për në urgjencën e Spitalit të Durrësit. Por mjekët atje, thanë se 44-vjeçari Ymeri ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pasi ka mbërritur në urgjencë, për shkak të plagëve serioze që kishte marrë në kokë. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe kreu hetime e ndërkohë ka shoqëruar pronarin e objektit, 45-vjeçarin Viktor Xheli.

Dyshimet e para të policisë bien mbi faktin se viktima nuk kishte një mjet mbrojtës në kokë, kaskë çka solli vdekjen.

Ndaj hetimet po përqendrohen në akuzën paraprake të mungesës së kushteve teknike.

a.a/NOA

KOMENTE