Nga Jozefina Topalli*
Kryetare e Kuvendit
Të dashura zonja, të dashur të rinj, Unë vij gjithmonë me kënaqësi të veçantë në komunën tuaj, ashtu siç shkoj edhe në komunat e tjera. Unë në fakt kam vendosur që jo vetëm të shkoj në çdo kumunë, në çdo qendër të këtyre komunave, por unë kam menduar se është shumë e dobishme edhe për ne që të shkojmë në çdo fshat. Ndaj edhe jam sot këtu në fshatin tuaj, ndaj edhe jam sot këtu në Ashtë. Është një kënaqësi të dëgjoj ato që tha përpara kryetari i komunës së Bushatit, që është një ndër kryetarët më të zotë. Shifrave të cilave ai u referohet janë shifra që sot janë kthyer në realitet, ato shifra janë sot rrugë, ato shifra janë sot asfalt, ato shifra sot janë ujësjellës, ato shifra sot janë shkolla dhe unë ju them me gjithë zemër i gëzofshi, sepse ju i meritoni. Është e jashtëzakonshme që vetëm ky inaugurim që bëmë së bashku sot, shkon në vlerën e 700 milionë lekëve të vjetër, gjë që në vitet e mëparshme ishte e paimagjinueshme.  Në fakt shifra totale e investuar në komunën tuaj në ujësjellës dhe infrastrukturë është 8 milionë euro, dhe ajo që parashikohet është që në çdo fshat të ketë ujësjellës. Kjo është një shifër që jo vetëm Bushati, por në fakt as qytetet më të mëdha të Shqipërisë, nuk e kanë arritur as në 8 vjet, as në 12 vjet, por as në 15 vjet të marra së bashku. Unë dua të shkoj dhe do të shkoj në çdo fshat, në çdo komunë, sepse unë e gjykoj të nevojshme t'ju dëgjoj juve, se është shumë e nevojshme t'ju dëgjoj juve dhe të marr sugjerimet tuaja, në mënyrë që, ne së bashku të vazhdojmë këto projekte të mëdha që ju keni parashikuar zoti kryetar të konsultuara së bashku edhe me banorët e çdo fshati dhe të çdo komune. Ne duam t'ju dëgjojmë. Ne duam konsultat tuaja. Kjo është detyra jonë, ndërkohë ju them me krenarinë më të madhe se nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe nuk ka ndonjë vend tjetër që në një periudhë kaq të shkurtër katërvjeçarë të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë sa ka bërë Shqipëria gjatë kësaj periudhe. Dhe me të drejtë një ndër autoritetet më të larta të kombeve të bashkuara tha se Shqipëria është i vetmi vend që ka bërë një rrugë kaq të gjatë në një kohë kaq të shkurtër gjatë këtyre 4 vjetëve. Në 4 vjet ne kemi rritur rrogat, ne kemi rritur pensionet, kurse në 9 vjet Kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat. Ne Partia Demokratike kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama në fakt u morr vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranës. Në 4 vite ne ndërtuam 1600 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimimit të tyre. Në 9 vjet Kryetari i Bashkisë të Tiranës ka thyer vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit, ka thyer vetëm rekordin e dhënieve të këtyre lejeve për miqtë dhe dashamirësit e tyre. Ju e kuptoni cili është kontrasti, ju e kuptoni cila është diferenca, ju e kuptoni kush e ka seriozosht, ju e kuptoni kush e do vërtet këtë vend, kush e do Shqipërinë tonë, kush e do vendin tonë. Por kjo është vetëm një pjesë e kontratës që ne kemi realizuar me pjesën tjetër. Ajo që ne i themi sot çdo qytetari është: Mos shikoni për të na votuar për ato që ne kemi bërë, jo vetëm për të na votuar për Shqipërinë e ndryshuar, ne ju themi na votoni për ato që ne do të bëjmë. Na votoni për projektet që do të realizojmë, na votoni për projektet e mëdha të zhvillimit ekonomik, na votoni për projektet e mëdha të Shqipërisë që po ndryshon. Në fakt një mik dje po më thoshte. Ai kishte ardhur nga vende të tjera pas disa vitesh në Shqipëri dhe kur njerëzit për rreth i thoshin që Shqipëria po ndryshon ai tha thjesht një fjali: "Në fakt, Shqipëria ka ndryshuar". Unë i bëj urimet më të mira çdo nëne, çdo zonje, çdo burri, çdo pensionisti, çdo të riu që ka ndërgjegjen e lartë shoqërore për të shkuar dhe për të aplikuar. Jeni një ndër komunat më avangardë, 70 për qind prej jush e kanë bërë aplikimin për kartat e identitetit dhe jam e sigurt se 30 përqindëshi tjetër do të aplikojë në një kohë rekord dhe do të jeni komuna e parë që do ta mbyllni totalisht procesin e aplikimit. Unë jam e di se në fakt Bushati ka qenë gjithmonë me ne, Bushati na i ka dhënë gjithmonë votën, por kësaj radhe se bashku me Bushatin do të jenë shumica e shqiptarëve, shumica e komunave, shumica e rretheve, shumica e qyteteve. Unë i besoj kryetarit, unë besoj në çdo projekt, unë dua të vij përsëri, unë dua të shkoj edhe në fshatra të tjera dhe dua të dëgjoj jo vetëm se sa janë investimet e realizuara por edhe dua të di cilat janë projektet e tjera që kryetarët e komunave kanë gati. Në mënyrë që ne t'i investojmë, në mënyrë që ne t'i bëjmë realitet në mandatin e ardhshëm, në vitet e ardhshme. Unë edhe një herë ju falënderoj për të gjithë mbështetjen. Ne kemi nevojë për mbështetjen e gjithësecilit, ne kemi nevojë për votën e gjithësecilit. Unë ju bëj zonjave shumë urime dhe fëmijët e tyre i paçin me fat, i paçin me jetë. Dhe shkolla është gjëja më e mrekullueshme në të cilën ne mund t'ju ndihmojmë. E kemi bërë me zemër dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me zemër gjithmonë. (*) Fjala e mbajtur sot më 20 prill me banorë të komunës së Bushatit