English

Pronat e bregdetit dhe një thirrje në prag votimesh

Thirrje pronarëve bregdetas kudo ku ata do të votojnë si dhe politikanëve që po kërkojnë votat tona

Kërkesave tona për zgjidhjen definitive të anarkisë së titujve të pronësisë në zonën turistike, të shkaktuar nga politika e gabuar prej vitit 1991 ka ardhur momenti t'i japim zgjidhen nëpërmjet votës tonë. PR, PD, PS, LSI në programet e tyre për 18 vjet kanë vazhduar të mohojnë kërkesat tona të ligjshme dhe na ofrojnë kompensim sipas modelit të kalendave greke. Së fundi në skenë për përfaqësimin politik të pronarëve ka dalë Partia Balli Kombëtar. Ju informojmë se kjo parti nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me ne.

Ne nuk ia kemi bërë Ballit këtë kërkesë se ajo as që është ndjerë deri sot, por nuk dimë që kjo kerkesë përfaqësimi politik të jetë bërë edhe nga Shoqata Kombëtare "Pronësi me Drejtësi". Ne druhemi se Balli e kërkon këtë kartë tani thjesht për propagandë elektorale, fenomen ky i zakonshëm dhe i përsëritur edhe në fushatat elektorale të mëparshme. Kujtojmë se gjatë kohës së grevës së urisë gazeta e kësaj partie për dy javë rresht nuk e ka pasqyruar as edhe si lajm të thjeshtë grevën e urisë të shoqatës së pronarëve. Sqarojmë pronarët nga Vlora në Sarandë, se Shoqata A.K."Bregdeti" është mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Shoqatën Kombëtare të të Shpronësuarve "Pronësi me Drejtësi", për zgjidhjen e problemit të pronës. Qeverisë ne i kemi kërkuar shumë herë të kuptojë veçoritë specifike për zonën turistike dhe kthimi pronës të jetë detyrim i Qeverisë në mënyrë që të ndalojë sorollatja e pronarëve dhe korrupsioni në Komisionet e kthimit të pronave që mbajnë peng pronarët. Qeveria i posedon dokumentet si dhe të gjitha instrumentet e nevojshme për kthimin e pronës tek i zoti, që nga arkivi i shtetit, kadastrat, instituti i hartave etj. Nëse Kryeministri do të vazhdojë të heshti ndaj shumë kërkesave që i janë drejtuar Qeverisë nga degët e shoqatës sonë të fshatrave të ndryshëm si Gjilek, Piqeras, Palasa, Qeparoi Vunoi, Lukova, Nivica etj. dhe ndaj kërkesave të përsëritura dhe të bëra publike ne shtyp të kryesisë së Shoqatës Bregdeti dhe nuk do ta zgjidhi problemin e kthimit fizik të tokave në zonën turistike gjatë këtij muaji ose maksimumi ne fillim të muajit Maj, ne u bëjmë thirrje pronarëve të Bregdetit të mos votojmë këtë maxhorancë se votojnë kundër vetes tyre. Nëse maxhoranca i do votat tona ka akoma kohe le të veprojë se ky veprim e nderon edhe para BE dhe NATO. Nëse maxhoranca do të plotësojë këto kërkesa që ne i kemi përsëritur shumë e shumë herë edhe qëndrimi ynë për votën dhe mbështetjen politike do të rishikohet. Ne e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë dhe përsëri theksojmë se nuk duam kompensim se në bregdet problemi zgjidhet me vetëm me kthim fizik të pronave tona, të cilat prej vitit 1991 e deri sot po shërbejnë për të pasuruar politikanët.

Politikanët e papërgjegjshëm duke filluar me ata të shkallëve të larta deri tani kanë thënë se çështja e kthimit nuk mund të zgjidhet. Këta harrojnë se po ata ishin në Parlament dhe votuan për anulimin e "reformës agrare dhe shtetëzimeve të Enver Hoxhës" dhe vepruan mirë për këtë pikë, por në vijim këto pasuri i shfrytëzuan për mirëqenien e tyre.. Ne këmbëngulim se zgjidhjen e pengojnë një grusht politikanësh. Ligji absurd dhe antikombëtar 7501 i zbatuar në gjithsej në vetëm 23 % të gjithë vendit në Bregdetin turistik duhet të abrogohet me gjithë pasojat e tij. Në emër të pronarëve këtë e kërkojmë me ligj dhe përpara zgjedhjeve. Shteti pas vitit 1991 nuk kishte dhe nuk ka të drejtë ligjore ti falë të tretëve ullinjtë tanë, bahçet dhe pronat tona apo të na detyrojë ne që e t'ua shesim pronat tona atyre që na i grabitën. Çdo pronar është "kryeministër dhe president" i pronës së tij të trashëguar. Presidenti dhe Kryeministri i vendit kanë detyrim të zbatojnë detyrimet kushtetuese. Përse Kryeministri na quan ne ish-pronarë, mos vallë pronari i pronave tona qenka Qeveria apo komisionet që po na sorollatin. Si mund të pretendohet për demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut !!. Këto parime i kanë thënë publikisht të gjithë ambasadorët që nga ai i SHBA, i BE, i Britanisë së Madhe, Francës, etj. Të gjithë e dinë mirë se Shteti nuk ka pasur dhe nuk ka titull pronësi mbi pronat që grabiti diktatura. Sot Shqipëria është i vetmi shtet anëtar i NATO-s dhe i vetmi shtet që po përgatitet për të bërë kërkesën për në BE që ka standard anti-NATO dhe anti-BE për pronën e trashëguar pasi standardi aktual është grabitës ndaj pronës së trashëguar. Prona tek pronari shënon hapin e parë të çrrënjosjes së diktaturës dhe të futjes se ekonomisë në rrugën e zhvillimit demokratik. Bregdeti Vlorë-Sarandë e tregon qartë situatën kaotike. Problemi do të zgjidhet shpejt dhe pa faturë financiare me angazhimin tonë në politikë. Vetëm të bashkuar ne pronarët bëhemi faktor nëpërmjet votës tonë demokratike. Platforma që ne dhe Pronësi me Drejtësi ka kohë që e kemi propozuar nuk lejon mundësi për korrupsionin pushtetar që ai mashtrojë më tej dhe njëkohësisht zgjidh anarkinë e krijuar. Zbatimi i platformës tonë kërkon mbështetjen tuaj, të pronarëve të ligjshëm.

Kjo platformë e bërë publike dhe shumë herë të tjera konsiston në këto pika:

Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e Këshillit të Europës, detyrimet kushtetuese dhe sipas titujve të mirëfilltë të pronësisë të pranohet me ligj si detyrimi i qeverise dhe shtetit. Ky proces duhet të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.

Qeveria të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë dhe cilat janë prona që Shteti i diktaturës ju grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet tu kthehen fizikisht pronarëve. Nga pronat e shtetëzuara nuk kthehen tek i zoti por kompensohen ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose vazhdojnë edhe sot të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit.

Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë.

Të përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik (rikthimi i të drejtës së posedimit) të pronave të trashëguara, në kufijtë e vjetër sipas dokumenteve zyrtare të para vitit 1945. Kthimi ti bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm, grup pronarësh apo institucioni fetar. (kthim fizik pavarësisht nga zëri kadastral apo lloji i pronës: tokë bujqësore, kullotë, livadh, truall, pyll etj. dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat).

Pronarëve të vërtetë tu kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara me mënyra korruptive nga Qeveria sipas interesave klanore.

Të llogaritet masa për ç'dëmtim ose sipas rastit vlerësim financiar, personave të tretë, që pas vitit 1991 i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të mirëfilltë dhe pronat e mirëfillta të shtetit.

Pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që sipas të dhënave zyrtare përbëjnë mbi 52% të pronës.

 Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe mund të hartohen vetëm pas përfundimit të kthimit. Kompensim të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem sepse janë shumë pak dhe Shteti me 52% të pronave ku është pronar i mirëfilltë Qeverisë i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale, pa krijuar deficite financiare për të cilat të gjithë shqiptarët duhet të paguajnë për më shumë se 1000 vjet. Ne e përbuzim këtë kompensim që është propagandë e negative tymnajë dhe mashtrim.         Â

Pronarë bregdetas, ju bëjmë thirrje që të jemi të bashkuar që e drejta jonë të fitojë.

Ju lutemi këtë thirrje lexoje dhe jepja një pronari tjetër që të informohen të gjithë bregdetasit që të mos hezitojnë bashkojmë votat me shoqatën Bregdeti dhe Shoqatën Kombëtare Pronësi me Drejtësi, që ne pronarët të mos mashtrohemi dhe mos besojmë më në fjalët e bukura paralektorale të politikanëve. Asnjë votë politikanëve që po pasurohen me pronat tona, që na quajnë ish pronarë dhe janë kundër pronarëve të vërtetë pra dhe kundër kthimit të pronës tek pronari.

KOMENTE