Tiranë, 20 prill NOA - Partia Socialiste lëshoi sot një afat ultimativ ndaj qeverisë dhe kryeministrit duke i lënë një javë kohë që të urdhërojë dhënien e kartave të identitetit falas deri më 28 qershor kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami doli sot në mesditë para gazetarëve ku njoftoi kërkesën që kjo parti parashtron sot ndaj kryeministrit.
"Disa ditë rresht me shqetësim i kemi kërkuar me të gjitha mënyrat Kryeministrit të reflektojë, për të hequr taksën e votës dhe të çlirojë zgjedhjet nga makthi i vjetër i manipulimeve. Berisha, duke bërë shurdhin po vë edhe këtë radhë zgjedhjet në rrezik. Ai përfundimisht po merr përgjegjësinë e rëndë të prishjes së tyre", - deklaroi Islami.
Sipas tij, Berisha nuk po e dëgjon zërin e votuesve të varfër, të opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. "Duke i shpërfillur ato po afron çdo ditë dështimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", - theksoi Islami.
Ai paralajmëroi se "do të ishte shumë e rëndë që një vend i NATO-s të dështonte në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet demokratike.
Po ashtu, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për fitimin e statusit të vendit kandidat, dhe një moment i humbur e vonesë në rrugën drejt BE".
Për PS, kjo do të ishte gjithashtu, një pengesë shumë e madhe për shqiptarët për të përfituar nga projekti i BE-së për lëvizjen e lirë në zonën Shengen të qytetarëve të Ballkanit.
Por PS beson se "prapa këtij dështimi të zgjedhjeve lexohen qartas përpjekjet e Kryeministrit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke ndryshuar rezultatin e tyre përmes kartave të identitetit".
Kurse kthehet në kohë dhe kujton se PS ka qenë shumë luajale me kërkesën e saj të hershme për heqjen e taksës së votës dhe nuk ka dashur asnjëherë që kjo çështje të kthehet në politike dhe aq më pak elektorale.
Arsyeja e vërtetë për heqjen e kësaj takse, lidhet me varfërinë e shumë votuesve dhe pamundësinë e tyre për të përballuar këtë takes, që nuk e ka asnjë vend i NATO-s apo vend i BE, thotë PS.
Islami tha se kërkesa e PS ka qenë e thjeshte dhe e qartë: çdo votues pa pasaportë të pajiset falas deri në zgjedhje me kartë identiteti, si mjeti i vetëm për të votuar dhe për të shmangur manipulimet. Funksionet e tjera të kartës së identitetit të trajtohen pas përfundimit të zgjedhjeve.
Kurse shtoi: "PD, e frikësuar nga humbja kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, përmes pengimit të votuesve të marrin pjesë në zgjedhje dhe pajisjes selektive të militantëve të saj me karta identiteti, sepse ajo është e ndërgjegjshme për humbjen e cila është e pashmangshme nëse të gjithë kanë mundësi të votojnë".
Islami tha se veprimet e Kryeministrit, që nga 12 janari kur filloi procesi i aplikimit dhe pajisjes me kartat e identitetit kanë qenë të paqarta dhe të dyshimta.
Po ashtu zgjidhja e fundit e Këshillit të Ministrave, sipas PS, nuk është funksionale dhe për më tepër nuk e zgjidh por e komplikon më shumë dhe e vonon procesin.
Në këtë pikë, Islami tha se PS kërkon që vendimi për dhënien falas të kartave, "të hyjë në fuqi jo më vonë se fundi i kësaj jave", - duke komentuar se "pranimi i heqjes së kësaj takse kur nuk do të kishte më kohë fizike për të kryer aplikimet do të ishte veprimi hileqar i radhës për të mashtruar kryesisht partnerët ndërkombëtarë dhe arritur të njëjtin synim, por këtë radhë duke përdorur mungesën e kohës".
e.l/NOA