English

Qeveria shqiptare u ofron bizneseve kineze një zonë të lirë ekonomike

Pekin, 20 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha, në vijim të vizitës zyrtare në Kinë, u prit sot nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, ku edhe deklaroi se qeveria shqiptare rezervon një zonë të lirë ekonomike për investimet kineze.

Berisha u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson, e konsiderojnë një thesar shumë të çmuar miqësinë e popullit kinez.

"Kina i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë së tij dhe për këtë shqiptarët u janë shumë mirënjohës", tha Berisha.

Por, nënvizoi Kryeministri, pikërisht atëherë kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë dhe e çonte popullin e tij drejt varfërisë së thellë".

Kryeministri u shpreh se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze kanë realizuar ndryshime të thella në vendet respektive, ndërkohë që ndihma e Kinës gjatë këtyre viteve të ndryshimit të Shqipërisë, ka qenë shumë e çmuar.

Duke u ndalur në investimet në vend, Berisha tha se Shqipëria është një vend i vogël por që ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez.

Qeveria shqiptare, siguroi Berisha, është e gatshme t'i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Evropë.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, tha se marrëdhëniet dypalëshe, gjatë qeverisjes së kryesuar nga zoti Berisha, në katër vitet e fundit kanë marrë një hov të ri.

Ai vlerësoi se drejtimi i Kryeministrit Berisha ka ndikuar shumë pozitivisht që këto marrëdhënie të forcohen në interesin më të mirë të të dy palëve.

Në këtë kontekst, nënvizoi Hu Jintao, kjo vizitë përbën një pikënisje të re historike për zgjerimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushat e ekonomisë, tregtisë së ndërsjellë, shkëmbimeve kulturore etj, një hap i ri i miqësisë sonë në shekullin e 21- të.

e.l/NOA
KOMENTE