Shkup, 20 prill, NOA - BDI në votimet e raundit të dytë zgjedhor ka fituar në dy komuna rurale, Studeniçan dhe Dollnen, nga pesë komunat ku u zhvilluan rivotimet.
Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në komunën e Studeniçanit, një komunë rurale në afërsi të Shkupit, kandidati i BDI-së ka fituar 3479 vota përballë kandidatit të partisë PEI, kandidati i së cilës Ismet Tërtovac ka fituar 2509 vota.
Në komunën e Dollnenit, kandidati i BDI-së, Abdulla Bajramovski ka fituar 3818 vota përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Boshe Millosheski me 3651 vota.
Në dy komuna të tjerë në Mavrovë-Rostushë dhe Zelenikovë kanë fituar kandidatët e VMRO-DPMNE-së.
Ndërsa në komunën Çuçer Sandevë sipas rezultateve të para më shumë vota ka fituar kandidati i pavarur Jovan Pejkovski.KSHZ njoftoi se votimet në këto komuna kanë qenë të rregullta dhe pa probleme.
Në bazë të rezultateve të përgjithshme në zgjedhjet vendore numrin më të madh të komunave e ka fituar VMRO-DPMNE me 56 komuna dhe qytetin e Shkupit, BDI 15 komuna, LSDM 7, PDSH dhe DR kanë marrë nga një komunë, 2 komuna kandidatë të pavarur dhe nga një komunë Lidhja e Romëve dhe Partia Demokratike e Turqve.
NOA-INA