English

Realiteti i burgjeve, një problematikë në Greqinë moderne

Nga Albert Zholi,

Shpëtim Zinxhirija

Edhe një shqiptar tjetër Fatmir Oruçi, vdes në mënyrë misterioze në qelinë e burgut. Një vdekje që shton akoma numrin ogurzezë të bashkatdhetarëve tanë, por që lë vend pyetjes se: a do të ketë interesim nga shteti shqiptar për të pare arsyet e vdekjes,për zbardhjen e vdekjes, apo do të mjaftohet vetëm me regjistrimin e numrit të vdekjeve të tyre …

Shqipëria të mos u besojë vetëm raporteve të ambasadës sonë në Greqi.

Vdekja e shqiptarit nuk është as e fundit dhe as e para, në qoftë se nuk ndryshon mentaliteti grek. Vdekja e shqiptarit ne burgun grek nxjerr para përgjegjësisë jo vetëm politikën greke, por edhe atë shqiptare, e cila ne vitet e emigracionit ka treguar se është e pa zonja te mbroje jot ë gjallë por edhe të vdekur qytetaret e saj. Shqipëria nuk ka përse të mbështetet vetëm në raportet që i dërgohen nga përfaqësia e saj nga Athina, po ajo në qoftë se ka interes duhet vë në lëvizje edhe mekanizma te tjerë që kanë të bëjnë në mbrojtje te drejtave te njeriut. Praktika ka treguar se si ambasadori i sotëm ashtu edhe i mëparshmi kanë dërguar relacione të kundërta qeverisë shqiptare, për gjendjen e shqiptarëve në burgjet greke.

Por edhe kur këto burgje u vizituan nëntorin e vitit të kaluar nga ambasadori ynë në Greqi, Dr. Vili Minarolli, nuk u tha e vërteta, por përkundrazi u shpreh për median shqiptare se, "unë vizitova pak ditë më pare, burgun Koridalo dhe në takime që pata me shqiptarët e dënuar, pashë që ata nuk kishin ankime". Kjo thënie e tij ishte pikërisht kur protestat sapo kishin filluar në të gjitha burgjet e Greqisë.

Në dhjetë vjet, 364 të vdekur

Nga viti 1998 deri në gjashtëmujorin e pare të vitit 2007 kanë gjetur vdekjen 364 njerëz, ku 165 prej tyre kanë vdekur në tre vitet e fundit ( 2004-2007). Janë vdekje që lënë shumë për të menduar dhe debatuar.

Si ka mundësi që në burgjet e një vendi të BE, siç është Greqia të vdesin për një vit 30 të dënuar, më saktë 5 në muaj. A duhet dikush të mbajë përgjegjësi për këto vdekje. Mos vallë kemi të bëjmë me krime brenda qelive të errëta në këto burgje. Vetëm në vitin 2000 gjeten vdekjen 54 njerëz, po kaq njerëz vdiqën edhe në 2006, ndërsa për gjashtëmujorin e pare të 2007, patën vdekur 36 të tjerë.

Sipas të dhënave dhe burimeve të tjera të publikuara ne shtypin vendas, për vitin 2006 gjetën vdekjen 250 të dënuar, por në këto vdekje nuk shënohen të dënuarit qe vdesin në spitale, e që dërgohen atje gjysmë te vdekur. Askush nuk përpiqet për të përmirësuar kushtet e jetesës në qelitë e burgjeve. Vitet e fundit janë dyfishuar edhe vdekjet ne rajonet e policive, ku mbahen rreth 3.000 të tjerë, të pa gjykuar akoma. Edhe pse keqtrajtimet e tyre në këto bodrume nga policët, si edhe vdekjet në burgje, nuk kanë të mundur të shqetësojnë qeverinë Karamanlis, i cili duket se jeton në një vend tjetër e jo në vendin e tij.

Djegia për së gjalli e katër të burgosurve në 2006 në qelinë e tyre në burgun Koridalo të Athinës, nuk shqetësoi më asnjë organ përkatës.

Më 2007 Greqia u dënua me gjobë nga Gjykata e Bashkimit Evropian, nga akuza që i ishte bërë nga komisioni Evropian Kundër Torturës. Kushtet e jetese mesjetare çdo vit kanë sjellë protesta të here pas hershme. Mungesa e mjekëve në burgje, kontrolli i tyre shëndetësor dhe në atë psikiatrik ka arritur kulmin. Nga një burim tjetër mësohet se, nje 15 vjeçar u gjend i varur në qelinë e tij, ndërsa brenda një periudhe tetëvjeçare numri të vdekurve në burgje dhe në dhomat e mjekimeve ka shkuar në 400.

Në burgje mbahen të burgosur njerëz të pa gjykuar deri në 18 muaj, një vendim ky i brendshëm i ministrisë përkatës. Një i burgosur i kushton qeverisë greke 860 euro në muaj. Për këtë ajo ka kërkuar që të burgosurit t'i kryejnë dënimet në vendin e tyre. Një marrëveshje e tillë është bërë me vendin tone në një kohë kur ka mbi 2.000 të dënuar. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje jo vetëm që do të përmirësojë anën ekonomike të Greqisë, por përkundrazi do të bëjë që shqiptaret të dënohen më shumë vite burgimi, dhe fare lehte nga ana proçeduriale.

Le të mendohet për një çast qëndrimin e qeverisë greke, në qoftë se në burgjet e Shqipërisë do të vdiste një grek, ashtu si vdiq shqiptari në Greqi.

Greqia ka numrin më të madh të burgosurve në Evropë

Një në çdo një mijë banorë vuan dënimin pas kangjellave të burgut, ku jeton gjysmë i gjallë dhe gjysmë i vdekur. Sot në burgje vuajnë dënimin rreth 13.000 mijë prej tyre nga 2.500 që ishin dënuar në 1978. Kjo ka ardhur si rezultat i vendimeve të gjykimeve të gjykatësve në shkelje të ligjit. Burgjet sot janë të mbipopulluara në 142 për qind. Nga 7.000 vende që është kushti normal, sot mbahen 13.000 të tillë, të stivuar njëlloj si në kuti sardele, duke harruar për një çast që këto ndodhin në një vend të BE dhe jo në mesjetë. Kjo ndodh në një kohë kur sipas kompetentëve gjysma e të burgosurve nuk duheshin të jenë sot në burgje, pasi nuk janë dënuar. Shqiptarët përbëjnë 50 për qind të numrit të dënuarve ndaj të huajve. Në burgjet e vendit ndodhen të burgosur nga 70 vende të botës. Ndërsa 60 për qind e të dënuarve janë për arsye droge. Vendimet e ashpra kanë bërë që në burgun e Koridalos nga 640 që është mundësia mbahen 2150 të burgosur.

Qeveria aktuale ndalon organizmat të ndryshme dhe Shoqatën Mjekësore që të bëjnë vizita për të pare nga afër kushtet e jetesës, ndalimin e dhunës dhe keqtrajtimin e të burgosurve, privimin arbitrar nga përfitimet sipas ligjit vendas. Po kjo nuk do të thotë që vendi ynë në bazë të ligjeve ndërkombëtare të mos interesohet për të pare se si jetojnë dhe vdesin shqiptaret në burgjet e turpit.

Shënim: Opinionet e publikuara në këtë rubrikë, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht, qëndrimin redaksional të agjencisë NOA

KOMENTE