Një nga reliket e Luftës së Ftohtë përfundon në fund të detit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm. Dëmi që i shkaktohet shtetit nga një veprim i lejueshëm vetëm në raste të jashtëzakonshme. Historia e mjetit lundrues që dikur patrullonte Mesdheun
Nga Alket Aliu Pashaliman, 20 prill NOA - Njëra prej katër nëndetëseve në bazën e Pashalimanit është zhdukur disa ditë më parë nga moli ku ishte e ankoruar prej afro 15 vjetësh. Ngjarja ka ndodhur në 15 prill, ndërsa efektivët ushtarakë ishin në festë për 96-vjetorin e Ditës së Kapitanerisë Shqiptare. Bëhet fjalë për një nëndetëse diesel të klasit "613 Whiskey", prodhim i vitit 1957, me gjatësi rreth 75 metra dhe peshë rreth 1000 tonë DËT. Mjeti lundrues ka qenë për vite të tëra flamurtar i flotiljes së vogël, trashëgim nga epoka e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Urdhri absurd Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se nëndetësja është mbytur nga vetë ushtarakët, me urdhër të gjeneral-brigade Maksim Malaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Sipas informacioneve nga burime ushtarake, arsyeja e mbytjes ishte frika e gjeneral Malajt se mjeti lundrues mund të shitej për skrap, siç ka ndodhur me një pjesë të arsenalit ushtarak shqiptar të trashëguar nga diktatura komuniste. Frika e ndonjë skandali të përmasave të Gërdecit apo tankeve të Majkos, ka bërë të lëshohet urdhri i vetëmbytjes (scuffling). Në të vërtetë, ekziston një vendim i Këshillit të Ministrave "Për një ndryshim në vendimin nr. 828, datë 30.12.1998, të Këshillit të Ministrave, "Për shitjen e mjeteve dhe teknikës luftarake të ushtrisë, të dala jashtë përdorimit në formën e skrapeve", ndryshuar me vendimin Nr. 444, date 26.9.2002, të Këshillit të Ministrave". Në zbatim të planeve të ristrukturimit të Forcave Detare dhe të reduktimit të numrit të anijeve në inventar, dy nga këto nëndetëse, me VKM nr.. 828 date 30.12.1998 është vendosur të shiten në formën e skrapit. Zbatimi Me gjithë opinionin e ndryshëm të zëvendësit të tij, gjeneral-brigade Zyber Dushkut, urdhri i Malajt është konfirmuar dhe zbatuar nga efektivët e marinës shqiptare. Nga verifikimet në terren të gazetës "LAJMI", ka rezultuar se në të vërtetë në molin e Pashalimanit gjenden vetëm tre nëndetëse, nga katër që ndodheshin të paktën një muaj më parë. Fotografitë e realizuara brenda territorit ushtarak konfirmojnë zhdukjen e njërës prej nëndetëseve, dikur krenari e flotës. Të njëjtat burime ushtarake konfirmojnë se është planifikuar që ditët e ardhshme procesi të vazhdojë me mbytjen edhe të tre nëndetëseve të tjera që ndodhen në Pashaliman. Historia e lavdishme Kjo nëndetëse ka marrë pjesë në disa operacione lundrim-zbulimi në Adriatik, Jon, Egje, Tirren e Mesdhe, si zbulim në bazën ushtarako-detare të Tarantos, bazës ushtarako-detare franceze të Tulonit, perlustrimin e Gjirit të Bengazit përballë bazës ushtarako detare sovjeto-libiane të Marsel El Brega, mbajtjen nën vëzhgim i dy fregatave ruse të klasit "Koni" të stacionuara në portin egjiptian të Damietës etj. Një ndër misionet më të bujshme ka qenë ai i mbikëqyrjes dhe shoqërimit të destrojerëve amerikanë me kapacitet antinëndetëse, në përbërje të Flotës së Gjashtë në Kanalin e Sicilisë, travers ishullit të Pantelerisë. Ndërsa njëri prej misioneve, ndoshta më i rëndësishmi, ai i kalimit nën kryqëzorin raketahedhës ku ndodhej Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneralit Duajt Ajzenhauer, është një nga misteret e historisë që pritet të zbardhet. Projektet Çfarë do të bëhej me nëndetëset Nëndetëset që i kanë mbetur Flotës Luftarake Detare janë mjete me vlerë historike, pasi janë relike të Luftës së Ftoftë. Ndërsa në vitin 1998 ishte planifikuar që dy prej tyre të shiteshin për skrap, dy të tjera do të vendoseshin në Gjirin e Vlorës përballë Akademisë Detare dhe do të shërbenin si objekte muzeale. Dy vjet më parë, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i premtoi Republikës Çeke se njërën prej tyre do t'ia dhuronte për vlerat muzeale që ajo mbart. Për këtë qëllim, ditën e shpërthimit të Gërdecit, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-leitnant Luan Hoxha, ndodhej në Pragë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit Çeki-Shqipëri. Sipas medieve çeke, dhurimi i nëndetëses nga Shqipëria ishte një arritje e madhe, por vendi në Evropën Qëndrore nuk ka dalje në det dhe po shikohet mundësia e transportit të mjetit lundrues me peshë mbi 1000 tonë. Ndërkohë biznesmenët e qytetit të Vlorës kanë kërkuar disa herë që të blejnë nëndetëset për t'i transformuar në lokale luksoze, por kërkesat e tyre janë refuzuar. Si zgjidhje përfundimtare e problemit, nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është menduar mbytja e tyre në ujërat e Adriatikut, në afërsi të bazës së Pashalimanit. a.a/NOA