English

Skulpturomania e Gruevskit

Duke hequr dorë nga origjina e vërtetë sllave, funksionarët e kësaj qeverie e kanë kthyer kokën kah antikiteti, kah Aleksandri i Madh dhe Filipi i Dytë i Maqedonisë së lashtë, të cilët nuk kanë asnjë pikë të përbashkët origjine me Gruevskat e sodit, përpos emërvendit.

Nga Sevdail Demiri

Në përpjekje për ta mbindërtuar identitetin poroz etnik maqedonas, edhe përskaj krizës së madhe ekonomike që po mbretëron në Maqedoni, qeveria e Nikolla Gruevskit po harxhon miliona euro vend e pa vend.

Ditë më parë, para qytetarëve të Shkupit, pikërisht në kryeqendër, u promovuan dhjetë skulptura nga 36 sa janë paraparë me projektin e Ministrisë së Kulturës për ‘zbukurimin' e qendrës së qytetit. Dhe, përpos shumë pamjeve gërditëse që ofrojnë këto skulptura, të njëjtat do të kushtojnë hiç më pak se 1 milion euro, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë çjerren nga xhepat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, rrjedhimisht edhe të atyre shqiptarë, të cilët as që janë pyetur për një ndërmarrje të tillë.

Dhe, që të mos mbetet me kaq, përpos skulpturave, qeveria e Maqedonisë planifikon që së shpejti të vendosë edhe 17 përmendore të reja, projekt ky që do të kapë një shumë të madhe prej 8 milionë euro! Pra, nga buxheti i ‘shtetit të përbashkët' të Maqedonisë, sivjet do të derdhen gjithsej 9 (nëntë) milionë euro vetëm për skulptura dhe përmendore!!! Â

Provokimi ndaj grekëve dhe shqiptarëve

Ky hap i qeverisë së Gruevskit, është në kundërshtim me dy gjëra shumë të rëndësishme që lidhen me aktualitetin në vend. Pra, përpos harxhimeve marramendëse që bënë shteti në kohë krize, kur të gjitha qeveritë e tjera bëjnë restrikcione të shumta, madje edhe në rrogat e funksionarëve, vetëm e vetëm të përballohet kriza më lehtë, qeveria e Maqedonisë bën shpenzime fare pa nevojë. Dhe, çështja e dytë me efekte shumëdimensionale, është provokimi i hapur që me këtë lloj skulpturomanie, Nikolla Gruevski bën ndaj fqinjëve grekë dhe bashkëqytetarëve shqiptarë.

Faktikisht, natyra e këtyre busteve dhe përmendoreve, është në vazhdën e përpjekjeve të kësaj qeverie për antikuizimin e Maqedonisë. Duke hequr dorë nga origjina e vërtetë sllave, funksionarët e kësaj qeverie e kanë kthyer kokën kah antikiteti, kah Aleksandri i Madh dhe Filipi i Dytë i Maqedonisë së lashtë, të cilët nuk kanë asnjë pikë të përbashkët origjine me Gruevskat e sodit, përpos emërvendit. Me këto skulptura dhe përmendore antike, qeveria aktuale e Maqedonisë po bën provokim të hapur ndaj Greqisë, pikërisht në momentet kyçe për ardhmërinë e vetë evropiane, kur Greqia si anëtare e NATO-s dhe BE-së, po i bën bllokada në proceset integruese.

Me këto skulptura e përmendore, kjo qeveri në mënyrë të drejtpërdrejtë po provokon shqiptarët e Maqedonisë, të cilët realisht e përbëjnë rreth 30 përqindëshin e vendit.

Në sheshin kryesor të Shkupit do të ngrihen përmendore gjigande të Aleksandërit të Madh, të Goce Dellçevit, Nikolla Karevit dhe ‘branitellat' e 2001-shit, por nuk do të ketë asnjë figurë emblematike të shqiptarëve. Aq më keq do të jetë tani kur do të ndërtohet edhe Kisha ortodokse mu në qendër të sheshit të Shkupit ‘Makedonija', pikërisht andej portës kryesore (Urës së Gurit) që shqiptarët e anës tjetër të Vardarit duhet ta kalojnë për të shkuar në pjesën tjetër të Shkupit të urbanizuar.

Veprime anakronike

Ç'është e vërteta, kjo strategji e veprimit anakronik të Qeverisë së Gruevskit, vazhdimisht ka marrë kritika konstruktive kryesisht nga opinioni i arsyeshëm i ekspertëve të ndryshëm maqedonas, e shumë pak nga opinioni shqiptarë, i cili realisht duhet të jetë më i zëshëm kundrejt këtyre budallallëqeve nacional-romantike të kësaj garniture qeveritare. Nga këtu, edhe rezistenca e faktorit politikë shqiptarë në Maqedoni ka qenë shumë e vogël dhe gati-gati e papërfillshme, gjë që po mundëson që kjo qeveri t'i realizojë me shumë lehtësi të gjitha planet e saja.

Gruevski të gjitha këto punë po i bën me një pompozitet të madh. Ç'është më e keqja, edhe shumica e popullit të vetë po i gëlltitë me shumë lehtësi këto fore të tija, gjë që vazhdimisht po reflektohet në rejtingun e lartë që e ka në popull dhe që po materializohet nëpër zgjedhje.

Mirëpo, ai dhe populli i vetë nuk janë ende të vetëdijshëm se sa në plan afatgjatë do t'i kushtojë Maqedonisë izolimi i brendshëm në njërën anë, dhe prishja e dalëngadalë e kohezionit ndëretnik, në anën tjetër, i cili po qëndron në këmbë të qelqta!

Dëmi, pa dyshim se do të jetë i madh.

KOMENTE