Shkodër, 20 Prill NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishte sot në komunën e Bushatit ku theksoi se asnjë vend tjetër nuk ka bërë një rrugë kaq të gjatë, në një kohë kaq të shkurtër prej 4 vitesh, si Shqipëria.
Topalli ishte në fshatin Ashtë për të inauguruar një rrugë tjetër të re prej 3 km, një investim prej 700 milionë lekësh. Kryeparlamentarja tha se vetëm në bujqësi gjatë tre viteve janë investuar 1.6 miliardë
dollarë dhe vetëm në komunën tuaj janë investuar 8 milionë euro, një shifër kjo e paimagjinueshme për një komunë të Shqipërisë.
Gjatë këtyre tre viteve, në bujqësi janë investuar më shumë seç janë investuar 15 vjet përpara.
Kyeparlamentarja Topalli tha se PD do të shkojë në çdo fshat, në çdo komunë e çdo qytet për të dëgjuar banorët, "për të marrë sugjerime e për të marrë edhe projekte të tjera të reja që ne do t'i zbatojmë në vitet e ardhshme".
"Në 4 vjet ne kemi rritur rrogat, ne kemi rritur pensionet, kurse në 9 vjet Kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat.Â
Këtu, Topalli sulmoi pak edhe Ramën si në çdo takim tjetër, paçka se vetë kreu i PS, asnjëherë nuk e atakon duke e shpërfillur totalisht: "Ne Partia Demokratike kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama në fakt u mor vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranës".
Më tej Topalli bëri një tjetër paralele: "Në 4 vite ne ndërtuam 1012 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimimit të tyre. Kurse në 9 vjet Kryetari i Bashkisë të Tiranës ka thyer vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit, ka thyer vetëm rekordin e dhënieve të këtyre lejeve për miqtë dhe dashamirësit e tyre".
Duke mbyllur fjalën e saj, Topalli iu drejtua banorëve: "Na votoni për projektet që do të realizojmë, na votoni për projektet e mëdha të zhvillimit ekonomik, na votoni për projektet e mëdha të Shqipërisë që po ndryshon".
r.d/NOA