Tiranë, 20 prill NOA - Qeveria ka deklaruar sot se personat të cilët u shërbejnë shtresave në nevojë siç janë personat me aftësi të kufizuara, u njihen vitet e punës si shërbim ndaj tyre, për efekt pensioni.
Deklarata u bë sot në mesditë nga Kastriot Sulkaj, zëvendësministër i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB) dhe erdhi si reagim pas premtimit dje të PS për të njohur si vite pune, shërbimin ndaj para dhe tetraplegjikëve.
"Aktualisht, të gjithë personat shoqërues për paraplegjikët dhe tetraplegjikët u njihet koha e shërbimit pranë të sëmurëve si kohë punësimi dhe janë të siguruar plotësisht si për pension pleqërie, barrë-lindje, sëmundjet e ndryshme, aksidentet, periudhën e papunësisë, etj.", - deklaroi Sulkaj.
Ai evidentoi edhe se paketa sanitare sot është 16 000 lekë në muaj kurse shtoi se "nuk ka ekzistuar fare në vitin 2005", dhe vlerësoi se "në këtë pikë jemi në pamundësi krahasimi".
Karburanti për një person në vitin 2005 ka qenë 4 000 lekë në muaj dhe në vitin 2009 është dy mijë lekë më shumë pra kemi një rritje në masën 50 për qind, - ka vijuar Sulkaj.
Ai shtoi se Fondi për Paaftësinë e Kufizuar në vitin 2005 ka qenë 6.12 miliardë lekë dhe në vitin 2009 është 9.3 miliardë lekë pra kemi një rritje me 50 për qind.
Në vitin 2009, trajtohen 128 mijë persona me aftësi të kufizuara ose 4 % e popullsisë së vendit nga 90 mijë persona që trajtoheshin në vitin 2005 pra kemi një rritje me 42 për qind të personave të trajtuar.
Në daljen publike, Sulkaj foli edhe për rritje të pagesave mujore sipas tij, për personat me paaftësi të kufizuar nga 6 800 lekë në vitin 2005 dhe sot është 8 700 lekë.
Kurse për kujdestarët, Sulkaj tha se pagesa mujore nga 6 800 lekë është bërë këtë vit 9 200 lekë, ku nuk përfshihet kontributi për sigurimet shoqërore.
e.l/NOA