English

Bollanon e "stërpiku" gjyqi...

Nga Agim Muhaxheri*

Vasil Bollanon e "stërpiku" gjyqi, i caktoi një dënim minimal, sa për të mos thënë se nuk e dënoi për një veprim të tij - ndërrimin e "gjeografisë" së Shqipërisë. Gjyqi e fajësoi për shpërdorim të detyrës.

Efekti i këtij dënimi, s'do mend, është një preventivë, terapi e mirë që të mos përsëriten krimet e tilla, të mos ngjet ajo: rrushi sheh rrushin dhe piqet.

Në Shqipëri ndodhi që të hiqen tabelat në gjuhën shqipe. Kështu nuk ndodh në asnjë shtet, as në Greqi, as në Itali... Vasil Bollano, kryetari i bashkisë së Himarës, bëri përjashtim, e "theu akullin". Ai dha urdhër që në vendin ku jeton, në Shqipëri, t'i heqë tabelat të shkruara në gjuhën shqipe.

Po të ndodhte në Greqi, ndokush t'i heqë tabelat në trafik, të shkruara në gjuhën greke, t'i zëvendësojë ato në gjuhën shqipe, do të "kallej" Greqia, urdhërdhënësi, ai që i ka hequr ato - nuk do ta "zinte sabahi", do të paraburgosej menjëherë, do të nxirrej në gjyq dhe do të dënohej fort. Kështu do të ndodhte edhe në Amerikë, Gjermani, Francë e ku jo tjetër.

Por, një "çikërrimë" e këtillë, që s'është kështu, ndodhi vetëm në Shqipëri.

Një shqiptar nga Kosova vajti si turist në bregdetin shqiptar. I kam parë mbishkrimet vetëm në gjuhën greke, në tabelat e vëna në trafik. Jam habitur, pat thënë ai, duke reaguar: "A jam në Shqipëri, a Greqi".

Për gjerat e këtilla, kur dikush i "hip" ligjit, në Romën e lashtë është thënë: O tempora, o mores!

Bollano bëri "bum". Ndoshta, ai, ku ta dish, do të hyjë në librin e Ginisit. Do të krenohet se ka bërë punë të madhe, do të ankohet se Gjyqi i Vlorës e ka dënuar vetëm e vetëm pse është minoritar. Madje, Bollano, në një deklaratë për media, pas vendimit, këtë proces e cilësoi të jetë politik, madje tha se do të ankohet edhe në Gjykatën e Strasburgut duke hedhur gurë e dru në prokurorin e çështjes.

Gjyqi e fajësoi këtë të pandehur. Harron ai, apo nuk e di se ligjet e shtetit, për ndonjë krim, nuk e kursejnë askënd, ligji është shpatë për të gjithë qytetarët. Askush s'është i privilegjuar para ligjit, as presidenti i shtetit...

Ka rregulla si dhe në ç'mënyrë, shkruhen tabelat në trafikun rrugor. Por, të hiqen tabelat në shqip kjo është non sens.

Gjykata e Vlorës ndaj tij, duke i caktuar 6 muaj heqje të lirisë, gjobën prej 500 mijë lekësh të reja dhe heqjen e së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për tre vjet, u tregua zemërgjerë.

Lajmi për fundin e këtij procesi mori dhenë, shkaktoi reagime të nduarnduarta. E them këtë ngase zotëri Bollano, duke mos çarë kokën, me një veprim të tij jo që shpërdori pozitën, postin e tij, por bëri dëm politik, trazoi shpirtrat.

Xhesti i Bollanos, në të parë, është një aversion ndaj gjuhës shqipe, aversion ndaj shqiptarëve. Akti i tij s'është patriotizëm, por një keqpërdorim i postit të tij, që bie ndesh jo vetëm me paragrafët e legjislacioni në fuqi të Shqipërisë, por edhe të konventave ndërkombëtare që sanksionojnë liritë dhe të drejtat e minoritarëve.

Në këtë kontekst vlen thënia e njohur latine:" Uti, non abuti" (Përdor, por mos shpërdor).

Bollano keqpërdori, lirinë, të drejtën...

(*)Analist për çështje gjyqësore

Prishtinë, 21 prill 2009

Shënim: Shkrimet e rubrikës "Opionin" nuk përfaqësojnë domosdoshmërish qëndrimin redaksional të agjencisë NOA

KOMENTE