Pekin, 21 prill NOA Update - Kryeministri Sali Berisha u takua sot në Pekin me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao.
Dy kryeministrat u ndalën gjerësisht në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë.
Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë çdo lehtësi për bizneset kineze që ato të investojnë në Shqipëri.
Berisha i kërkoi Kryeministrit Wen Jiabao mbështetjen e qeverisë së tij për të inkurajuar bizneset kineze që të investojnë në Shqipëri.
Shqipëria, - tha Kryeministri Berisha - është një vend i sigurt, anëtare e NATO-s,  çka e bën një vend shumë të sigurt për investitorët kineze.
Nga ana e tij, Kryeministri Wen Jiabao tha se Kina mbetet e vendosur të zhvillojë dhe intensifikojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Shqipërinë.
Jiabao theksoi gjithashtu se qeveria kineze është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik dhe financiar për të përballuar efektet e krizës ekonomike botërore.
Në këtë kuadër, Wen Jiabao theksoi vullnetin e madh të qeverisë së tij për përshpejtimin e programeve për të mbështetur projekte të ndërtimit të infrastrukturës, të teknologjisë së lartë, teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjetikës e në veçanti zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
Qeveria kineze është e gatshme t'i japë Shqipërisë kredi të buta për të realizuar këto projekte, - pohoi Kryeministri kinez.
Ai tregoi se një delegacion ekspertësh nga Kina do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë për të diskutuar mbi projektet në fushën e bujqësisë dhe brenda vitit do të mblidhet në Pekin, komisioni i përbashkët i punës.
Gjithashtu, Kina do të shqyrtojë  kredi të buta për projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit etj., si dhe do t'i akordojë Shqipërisë një grant prej 10 milion Yuen.
Ndërkohë, të dy kryeministrat u shprehën se forcimi i marrëdhënieve kulturore është shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, të dy palët ranë dakord të organizojnë veprimtari kulturore për të kremtuar 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.
e.l/NOA