Tiranë 21 prill NOA - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me homologun e tij të Kosovës Zenun Pajaziti dhe delegacionin që e shoqëronte.
Në fjalën e tij, Ministri Nishani nënvizoi nevojën e shkëmbimit të përvojave nga të dy palët, duke përmendur në veçanti fushën e trajnimit policor për të cilën vlerësoi përvojën e Akademisë Policore të Kosovës.
Nishani garantoi Ministrin Pajaziti dhe drejtuesit e tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës për një partneritet serioz e të besueshëm nga ana e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
Ndërsa Ministri Pajaziti, theksoi nevojën për shkëmbimin e përvojave dhe shtimin e kontakteve dypalëshe në të gjithë sektorët që mbulojnë Ministritë e Brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kreu i Ministrisë së Brendshme të Kosovës Zenun Pajaziti paraqiti në takim edhe një draft marrëveshje për bashkëpunimin mes strukturave të emergjencave civile në të dy vendet.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe krijimi i lehtësirave të nevojshme për lëvizjen e qytetarëve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas gjatë sezonit turistik.
Në këtë aspekt Ministri Nishani shprehu "angazhimin që përvoja e krijuar me pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan me Malin e Zi, të shërbejë si shembull për nisma të ngjashme edhe me Kosovën, pasi nisma të tilla mbështeten edhe nga Komuniteti Europian".
k.k/NOA