Tiranë, 21 prill, NOA - Edhe pse fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore po afron, ende jemi larg kushteve të nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
Ky paralajmërim është dhënë sot gjatë një konference për shtyp nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste. Blendi Klosi, i cili ka pohuar se ende sot, 68 ditë nga zgjedhjet e qershorit, më shumë se 500 mijë votues mbeten pa mjet identifikimi dhe si pasojë të përjashtuar nga e drejta për të votuar.
"Në vitin 2009, qeveria shqiptare aplikon taksën e votës mbi votuesit e saj. Një taksë e cila i privon votuesve shqiptarë të drejtën e tyre, të sanksionuar në Kushtetutë, të drejtën e votës", theksoi ai.
Më pas, shtoi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vota është falas, por dhe në vendet e Bashkimit Europian, vota është falas, ndërsa në Shqipëri, vota sot nuk është falas.
"Vota është një e drejtë dhe jo një shërbim. Si e tillë e drejta e votës as nuk mund të shitet e as nuk mund të blihet. Vota është një e drejtë të cilën duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të gjithë, falas. Kryeministri Berisha po luan rolin e shurdhit, duke mos i dëgjuar kërkesat e opozitës, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të hequr taksën e votës", tha ai.
n.e/NOA