Tiranë, 21 prill, NOA - Ka mbërritur menjëherë pas dhënies së vendimit nga ana e gjykatës së Vlorës ndaj kryebashkiakut të Himarës, reagimi i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.
Si i zgjedhur i kësaj partie, ajo e ka marrë në mbrojtje Vasil Bollanon, duke shpallur publikisht qëndrimin e saj zyrtar kundër vendimit të dhënë nga Gjykata e Vlorës ndaj tij.
"Vendimi me burgim për Bollanon të kujton kohërat e vjetra. Eshtë një vendim i cili nuk mund të gjendet në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian", ka deklaruar lidhur me një fakt të tillë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Sipas tij, kryebashkiaku Bollano u dënua se zbaton ligjet dhe se ai nuk ka bërë asgjë tjetër veçse i ka respektuar ato duke cilësuar se "vendosja e tabelave, është një e drejtë e vendorëve".
Më pas, Dule pohoi se në gjykatat shqiptare ka njerëz të verbër nacionalistë të cilët marrin vendime të tilla që bien ndesh me drejtësinë e vërtetë, dhe që nuk i gjen në Bashkimin Evropian.
n.e/NOA