English

Situata energjetike mjaft e mirë, KESH eksporton energji në Kosovë e Greqi

Tiranë, 21 prill, NOA - Situata energjetike e vendit tonë gjatë ditëve të fundit paraqitet mjaft e mirë për shkak të reshjeve që kanë rënë në gjithë vendin.

Kjo ka bërë që Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare të arrijë të plotësojë në mënyrë optimale jo vetëm nevojat e popullatës për energji elektrike, por edhe të arrijë të eksportojë energji në vendet fqinje siç janë Kosova dhe Greqia.

Sipas të dhënave, KESH po eksporton energji elektrike që prej datës 4 prill në këto dy vende, kjo falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend për shkak të reshjeve të bollshme dhe shkrirjes së dëborës.

Një fakt të tillë e ka deklaruar sot për mediat drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i cili tha se situata hidrike në vendin tonë paraqitet shumë e mirë.

"KESH për momentin po furnzion me energji elektrike të gjithë konsumin shqiptar, si dhe po eksporton në Kosovë dhe në Greqi në kohën e pikut", theksoi ai.

Më pas, kreu i KESH-it ka deklaruar se fitimi nga shitja e energjisë elektrike që nga fillimi i vitit dhe deri tani ka arritur në kuotën e 12 milionë euro.

Këto të ardhura do të ndihmojnë edhe KESH-in nga ana financiare.

n.e/NOA

KOMENTE