Bruksel, 22 prill, NOA - Nëse për Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë dëshmuar në favor 13 shtete të botës, për Kosovën ky bilanc rezulton më i lartë, me 21 vende.
Ky është bilanci që jepet nga kjo gjykatë, e cila përmes një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur se 34 shtete kanë dëshmuar deklaratat e tyre me shkrim (përfshi edhe Kosovën), lidhur me pyetjen se a ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës. Në mesin e shteteve të cilat kanë qenë në favor të Kosovës, nuk bien në sy të jenë Italia apo Greqia.
Për të parën është thënë se do të deklarohet në favor të Kosovës, ndërsa për të dytën në favor të Serbisë. Në favor të Kosovës janë deklaruar shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Japonia, Çekia, Zvicra, Shqipëria, Austria, Finlanda, Polonia, Luksemburgu, Estonia, Norvegjia, Holanda, Sllovenia, Letonia, Irlanda, Danimarka, Maldivet dhe Sierra Leone. Ndërkaq, në favor të Serbisë janë deklaruar shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si Rusia, Kina, Qipro, Rumania, Egjipti, Sllovakia, Libia, Spanja, Irani, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani dhe Bolivia. Afati i caktuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për këtë çështje është data 17 korrik.
n.e/NOA