English

Cërvenkovski: Maqedonia nuk duhet të mbetet një enklavë e izoluar nga emri

Shkup, 22 prill, NOA - "Në shekullin XXI nuk është e mundur që një shtet i vogël të bëhet enklavë e izoluar, përderisa të gjithë shtetet e rajonit integrohen në NATO dhe BE", deklaroi presidenti i Maqedonisë, në takimin përfundimtar me përfaqësuesit rezident të trupit diplomatik në shtetin fqinj.

Sipas tij, maqedonasit duhet të ballafaqohen me realitetin dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi për emrin.

Tre vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-të, Franca dhe Anglia vlerësojnë se ardhmëria dhe prosperiteti i Maqedonisë është në integrimet euroatlantike.

Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker theksoi se problemi me emrin mund të zgjidhet dhe SHBA-të e inkurajojnë qeverinë dhe presidentin e ri ta bëjnë këtë. Riker theksoi se vetëm përmes negociatave mund të arrihet te zgjidhja përfundimtare për emrin.

Edhe ambasadori i Francës në Maqedoni, Bernard Valero theksoi se Maqedonia dhe Greqia sa më shpejtë duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi për çështjen e emrit kushtetues.

Për Anglinë vitet e ardhshme për Maqedoninë do të jenë të vështira për shkak të pasojave nga kriza ekonomike globale, por vendi duhet të vazhdojë realizimin e reformave për të marrë datën për fillimin e negoviatave me BE-në.

Porosi të njëjtë dërgoi edhe ambasadori i BE-së, Ervan Fuere i cili tha se liberalizimi i vizave dhe negociatat me BE-në janë e ardhmja e Maqedonisë.

NOA-INA

KOMENTE