English

Deputeti i Matit, Qemal Minxhozi, në familjen Rica të komunës Ulzë

Ulzë, 22 Prill NOA - Në komunën e Ulzës ende nuk ka nisur procesi i aplikimit për karta, por ka në ndërkohë shumë familje ku varfëria dhe papunësia janë bashkëudhëtare të jetës së tyre.

Në një nga këto familje ka qenë deputeti i zonës së Matit, Qemal Minxhozi. Në familjen e Dedë Ricës në fshatin Bushkash të Matit, as nuk bëhet fjalë për të paguar para për të marrë kartën e identitetit.

Një varfëri ekstreme ku flitet çdo ditë vetëm për ekzistencë. Gjithsesi kryefamiljari, Rica pohon se edhe ai ka dëshirë të japë votën, por varfëria atë dhe pjesëtarët e familjes së tij do t'i pengojë për të dhënë votën në 28 Qershor.

Unë jam vetë i gjashtë dhe rroj me një ndihmë ekonomike 5 mijë lekë të reja. Unë dua të aplikoj për kartë identiteti për të shkuar në votime, kam dëshirë të shkoj në votime, por gjendja ekonomike nuk ma mundëson për të shkuar, pavarësisht deri më sot në komunën e Ulzës nuk është bërë asgjë për qendrat e aplikimit, nuk janë vënë ende pajisjet", - thotë Rica.

Kryefamiljari kërkon nga shteti që t'i mundësojë dhe atij të votojë në këto zgjedhje duke i garantuar kartën e identitetit falas.

Deputeti i Matit Minxhozi shprehet se është e pafalshme t'ua shesësh të drejtën e votës këtyre njerëzve në varfëri ekstreme.

 "Varfëria e tejskajshme e bën të pamundur që njerëzit të shkojnë drejt kutive të votimit. E tillë është gjendja ekonomike këtu në Ulzë jo vetëm në këtë familje. Do ishte e udhës që qeveria të hiqte dy tre projekte të rrugëve elektorale dhe të hiqte taksën e votës, në mënyrë që njerëzit të shkojnë të votojnë lirshëm me ndihmën e shtetit të tyre", - deklaroi Minxhozi.

r.d/NOA

KOMENTE