Prishtinë, 22 Prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave kryesore në Kosovë, për ditën e Mërkurë, 22 Prill 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e e-mail: info@noa.al
E përditshmja
"Koha ditore" shkruan se shtetet e BE-së janë rreshtuar kundër njëra-tjetrës për Kosovën në Hagë, për të sqaruar më tej se Spanja, Rumania, Sllovakia e Qiproja janë renditur krah Rusisë, Iranit e Libisë kundër vendeve perëndimore. "Koha ditore" citon diplomatë të kenë thënë se kjo situatë është e pakëndshme për kredibilitetin e BE-së. Në të njëjtën temë, e përditshmja "Express" shkruan se pas publikimit të emrave të shteteve që kanë deponuar deklarata me shkrim, shihet se në favor të Kosovës janë rreshtuar 21, ndërsa qëndrimin e Serbisë do ta përkrahin 13 shtete. Italia, shkruan "Express", është tërhequr nga ky proces, ndërsa, me gjithë paralajmërimet e Beogradit, Greqia nuk dorëzoi gjë në Gjykatën e Drejtësisë. Ndërsa, e përditshmja "Zëri" shkruan se shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, ka bindur Maqedoninë, Malin e Zi, e çka është më e rëndësishmja Kroacinë, që të mbeten anash procesit të Hagës, apo që të mos deponojnë materiale relevante për trajtimin e Kosovës në GJND. Kjo gazetë shkruan se Sllovenia është i vetmi shtet i ish-Jugosllavisë, që do ta ndihmojë Kosovën në këtë rast. Derisa EULEX-i tashmë e njeh si të arritur rifillimin e punës në gjykatat në veri, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, shfaq frikën se kthimi i stafit vendor dhe rifillimi i punës në gjykatat në veri nuk mund të bëhen pa një kompromis apo marrëveshje të re me Serbinë. Ai, në një intervistë dhënë "Kohës ditore", ka thënë se EULEX-i nuk mund të punojë në veri as me ligjet e Serbisë, e as me ato të Kosovës pa institucionet vendore. Sipas tij, EULEX-i ka një përshkrim të punës që lidhet me bashkëpunimin e institucioneve vendore, por e gjitha ka mbetur peng, sipas tij, i marrëveshjeve të UNMIK-ut me Beogradin, që gjendja të mos lëvizë, të paktën derisa të qartësohet çështja e dy njësive komunale sipas pakos së Ahtisaarit. "Koha Ditore" citon Barutin të ketë thënë se së fundi ka marrë një sugjerim nga EULEX-i, që të merren disa lëndë nga gjykata në veri për t'u punuar në Vushtrri dhe e njëjta të ndodhë edhe me punëtorët serbë gjykatës, duke zbehur kështu shpresat për një kthim të mundshëm në vendet e punës në veri. Gazetat e sotme publikojnë të dhëna të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, ku thuhet se Prishtina është 18 herë më e ndotur nga ç'e lejojnë normat. "Express", në shkrimin me titull "Prishtina shkurton jetën", shkruan se ndotja e ajrit ka tejkaluar të gjitha normal e lejuara. Nëse në një shtet të zhvilluar të botës, ndotja e ajrit lejohet të kalojë limitet e saj vetëm 18 herë gjatë një viti, në Kosovë kjo ka ndodhur vetëm për tre muaj. Ndërsa, në një editorial të saj, "Kosova sot" e cilëson Prishtinën si kryeqytet të asfaltit, betonit dhe ndotjes. Kjo gazetë alarmon se drejtuesit e këtij vendit duhet të mendojnë më seriozisht për fëmijët, që, siç thuhet, po rriten në këtë ambient të sëmurë.