English

Go East, në Gjermani hapet festivali me 110 filma nga 20 vende ish-komuniste

Berlin, 22 prill, NOA - Starton sot në Wiesbaden të Gjermanisë festivali i filmit europiano-lindor që mban titullin "Go East", i cili parashikon shfaqjen e mbi 110 filmave nga mbi 20 vende ish-komuniste të bllokut të Lindjes.

Sipas të dhënave, sipari i këtij festivali interesant të filmit hapet sot në mbrëmje me filmin "Tatarak" (Kallami) të mjeshtrit të kinematografisë polake, Andrzej Vajda.

Janë 10 filma artistikë të cilët do garojnë për çmimin "Zambaku i Artë", ndërsa 6 dokumentarë do konkurrojnë me njëri-tjetrin për çmimin "Kujtim dhe ardhmëri".

Bëhet e ditur se kinematografinë shqiptare e prezanton vetëm filmi "Koha e Kometës" e Fatmir Koçit. Prodhimi shqiptaro-franko-gjerman i vitit 2008, që bazohet në romanin e Ismail Kadaresë "Viti i mbrapshtë", shfaqet kështu për herë të parë në një kinema gjermane, ndërsa Koçi vetë ka qenë edhe herë të tjera në festivalin "Go East".

Drejtoresha artistike e festivalit Svetlana Sikora, thotë se përzgjedhja aktuale është bërë nga gjithsej 300 filma kandidues.

"Filmat këtë vit kanë diçka të përbashkët. Regjisorët merren me tema shumë aktuale në vendet e tyre. Ato kanë një adresë të qartë dhe u referohen problemeve dhe halleve të njerëzve në secilin vend", ka thënë ajo për mediat mbi organizimin e këtij festivali.

Ndërkaq, bëhet e ditur se dy janë tematikat kryesore që do të përshkojnë filmat e festivalit të sivjetshëm.

Nga njëra anë, vazhdojnë të ndjehen gjurmët që kanë lënë luftërat në ish-Jugosllavi dhe Gjeorgji, ndërsa linja tjetër është ajo e konfrontimit me të kaluarën totalitare të vendeve të ish-bllokut lindor.

n.e/NOA

KOMENTE