Korçë, 22 prill, NOA - Megjithëse të gjithë e këshilluan që të mos i përdorte medikamentet qetësuese, i ndodhur në gjendje depresive ai duket se nuk e ka patur aspak të lehtë të heqë dorë nga vendimi fatal.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, i riu Gjergj Anastasi nga qyteti i Korçës është gjetur i shtrirë mjaft rëndë nga ana shëndetësore në shkallët e një dyqani pranë spitalit, duke patur pranë tij disa medikamente me mbishkrimin "Loram", të cilat përdoren si qetësues.
Menjëherë ai u trasportua në spitalin e Korçës, ku edhe ka marrë ndihmën e duhur mjekësore pasi shfaqte simptoma të helmimit.
Më pas, u kryen veprimet e para hetimore, nga ku ka rezultuar se ky person është parë nga kalimtarët e rastit të konsumonte këto medikamente, të cilët e kanë këshilluar që të mos i merrte ato, por ai pavarësisht këmbënguljes së tyre, i ka konsumuar ato.
Për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore, që prej ditës se djeshme dhe deri në këto momente, ai gjendet i shtruar në repartin e reaminacionit në gjendje relativisht të rëndë, por gjithsesi, jashtë rrezikut për jetën.
Nuk është bërë e mundur që prej tij të merren shpjegime të hollësishme, por mendohet se ai i ka konsumuar medikamentet qetësuese në kushte të forta të depresionit.
n.e/NOA