Uashington, 22 prill, NOA - Deri në fund të vitit të ardhshëm, kostoja e krizës financiare në mbarë botën mund të arrijë në 4,1 trilionë dollarë.
Një vlerësim i tillë është dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka riparë me anë të një studimi të thelluar financiar se cilat mund të jenë shifrat e vërteta që do të kapë kriza financiare që ka mbërthyer tashmë gjithë botën.
Në raportin e fundit të FMN-së thuhet se bankat do të pësojnë dy të tretat e humbjeve, ndërsa pjesa tjetër do të godasë kompanitë e sigurimeve, fondet e pensioneve dhe firma të tjera financiare.
Studimi ndër të tjera vlerëson se humbjet e firmave amerikane do të jenë shumë më të mëdha se sa vlerësimet e mëparshme që janë bërë deri tani me llogaritjen e kostos konkrete të krizës financiare.Â
Të dhënat përfshijnë gjithashtu humbjet e para nga Evropa dhe Japonia.
Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon që në kuadër të gjithë kësaj, të merren më shumë masa për parandalimin e efekteve negative të krizës dhe rekomandon që qeveritë të bëjnë përparim në injektimin e parave shtesë në sistemet bankare.
n.e/NOA