Njazi Muka*
Për ligjin nr 7501, në këto 18 vjet, është shkruar shumë herë. Ai është ligj komunist sepse shteti pa qenë vetë pronar, u justifikua që të ja marri pronën pronarit legjitim dhe ja jep atij që nuk ka pronë fare.
Këtë ligj dhe këtë stafetë Sali Berishës ja dorëzoi Ramiz Alia, sipas programit të Katovicës, me porosinë që ai ta vërë në jetë. Ky ligj vazhdon të zbatohet edhe në ditët e sotme. Por dhe Edi Rama deklaroi këto ditë, se sa të marrim pushtetin në 28 Qershor, do t'i pajisë të gjithë fshatarët me tapi dhe do ti bëj pronarë sipas ligjit 7501. Kjo do të thotë se të dy partitë prej 18 vjetësh, janë në marrëveshje që të vazhdojnë program komunist. Që ligji 7501 nuk jua kthen dhe ju grabit pronën pronarëve të ligjshëm është arsyetuar dhe vërtetuar plotësisht. Aplikimi i këtij ligji e ka futur në kaos Shqipërinë dhe po i sjell dëme të shumanshme. Ky ligj shkel të drejtën e pronës së trashëguar dhe shkel Konventën Ndërkombëtare të të drejtave të Njeriut (nenin 1 të protokollit 1), konventë kjo e firmosur nga ata që po drejtojnë vendin në këto 18 vjet. Ky ligj shkeli me të dy këmbët Dispozitat Kryesore Kushtetuese të vitit 1991 dhe Kushtetutën e vitit 1998 (neni 41 dhe 181 dhe nene të tjera që garantojnë e mbrojnë pronën e pronarit legjitim. Ky ligj e dëmtoi dhe po e dëmton rëndë ekonominë e Shqipërisë sepse investitorët e huaj privatë nuk vijnë, ata kërkojnë tapi të pronarit legjitim dhe jo tapi për prona të grabitura. Toka bujqësore nuk po punohet sepse "pronari i ri"sipas ligjit 7501 e di shumë mirë se ajo tokë nuk i përket atij dhe herët a vonë do t'ia dorëzojë pronarit të ligjshëm. Anarkia e pronës dhe ligji 7501 ka sjellë fatkeqësi të mëdha dhe sipas statistikave të paraqitura nga vetë shteti sot deri tani kemi 6000 persona të vrarë dhe në hasmëri për shkak të pronësisë. Shqiptari po vret shqiptarin! Do të vijë koha që të jepet llogari dhe shkaktarët do të vihen para ligjit. Për të vënë në jetë këtë platformë dhe këto ligje antinjerëzore dhe antikombëtare u krijuan institucione si Komisionet e Pronave, ALUIZN-i, Legalizimet etj. U gjetën dhe njerëz të përshtatshëm që me pronat e grabitura dhe të marra me forcë pronarëve legjitimë nga shteti komunist, të krijohej një shtresë e re, që quhen pronarë të rinj dhe që janë personat që politika e shtetit ju fal pronat e grabitura. Në Evropë dhe në asnjë shtet nuk është vepruar kështu si tek ne. Ky është turpi dhe poshtërsia më e madhe e Shtetit Shqiptar sot. Qytetarët e shteteve evropiane shtangen me këto praktika që ndjek Shteti Shqiptar dhe cilitdo i lind pyetja: A mund të bëhet Shqipëria e barabartë me shtetet Evropiane, kur praktikon grabitjen e shtetasve të vet ?
Habitem pa masë se si Evropa lejon që të ketë në gjirin e vet një shtet që nuk zbaton Konventën e Të Drejtave të Njeriut edhe kur ajo është firmosur nga përfaqësuesit e shtetit. Shqipëria sot është i vetmi shtet në Evropë dhe në NATO që shpronëson dhe i pronëson padrejtësisht shtetasit e saj. Të gjitha ligjet që janë hartuar deri më sot, për gjoja kthimin e pronave duke filluar nga ligji 7501 në vitin 1991 e deri tek ligji 9235 në vitin 2004 e në vazhdim, janë ligje 100% kundër pronarit legjitim dhe në dobi të pronarëve falsë të ashtuquajturit "pronarët e ri". Gjykatat asnjëherë nuk e zbatojnë drejtpërdrejtë Kushtetutën ashtu siç është e shkruar, por janë vënë vë zbatim të këtyre ligjeve që artificialisht e varfërojnë të shpronësuarit nga komunizmi dhe pasurojnë padrejtësisht një pjesë tjetër të preferuar nga politikanët. Vetë Gjykata Kushtetuese e shkel Kushtetutën, kur qëndron e heshtur nga shkelja e neneve 41 dhe 181 dhe e neneve të tjera që mbrojnë pronarët legjitimë. Meqenëse ligjet dhe gjykatat shqiptare nuk po e zgjidhin problemin e kthimit të pronës në origjinë, pronarët e vërtetë pasi i kalojnë të tre shkallët e gjykimit në Shqipëri po i drejtohen për ditë Gjykatës ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe po marrin prej saj vendime të drejta. Ajo Gjykatë po e dënon dhe gjobit Shtetin Shqiptar sepse gjykatat tona nuk japin drejtësi dhe gjobat po vijnë në rritje. Gjobat që vijnë nga ajo gjykatë po kapin shuma që kalojnë miliona euro. Këto dënime që paguhen nga ekonomia shqiptare kanë si shkak politikanët dhe qeveritë shqiptare të papërgjegjshme. Të 300.000 familjet shqiptare të shpronësuara, që prej 18 viteve po mashtrohen nga politikanët që deklarojnë se "... me pronat kemi gabuar dhe prona do të shkojë tek i zoti" por kur zotëri qeveritarë ? Pa abroguar ligjin 7501 prona kurrë nuk mund të kthehet tek i zoti. Shqipëria ecën drejt tjetërsimit dhe shkatërrimit të vlerave të saj morale njerëzore, historike për shkak të ligjit 7501. Ose ligji 7501 pse prona tek pronari legjitim, ai që u grabit nga komunizmi. Çfarë pozicioni do të mbajë pronari legjitim në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 ? Unë mendoj dhe është logjike se nuk mund të ketë pronar të shpronësuar që ja pej votën atij që e shpronësoi dhe pas kësaj eksperience 18 vjeçare nuk do ti japi votën as PD e as PS. Votën i shpronësuari ka ku e çon. I shpronësuari votën do t'ja japi demokratit të vërtetë, të shpronësuarit, të djathtit të vërtetë, të persekutuarit të pa komprometuar, që e mbron pronën dhe nuk pranon grabitjen e saj dhe në Parlamentin e ardhshëm do të luftojë që prona ti kthehet pronarit. Pronarët e shpronësuar do të dinë të zgjedhin për deputetë njerëz të ndershëm e me traditë se vetëm kështu do të fillojë të funksionojë demokracia dhe shteti ligjor, vetëm atëherë prona do të shkojë tek i zoti. Parlamenti i ardhshëm duhet të orientohet të zbatojë Kushtetutën, të zbatojë Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kërkesat e Këshillit të Evropës, dhe ta zgjidhi përfundimisht e në mënyrë të qëndrueshme problemin e kthimit të pronës tek pronari. Pronarët kërkojnë kthimin e pronës së tyre, ata nuk kërkojnë dhe nuk do të mashtrohen me kompensime të çfarëdolloji qoftë.
(*), Qytetar i shpronësuar nga komunizmi
Tiranë, 22 prill 2009
Shënim: Shkrimet e rubrikës "Opionin" nuk përfaqësojnë domosdoshmërish qëndrimin redaksional të agjencisë NOA