Tiranë 23 prill NOA - Avokati i Popullit konstaton mbajtjen e të sëmurëve mendore në Qendrën Spitalore të Burgjeve Tiranë, kur ndaj tyre gjykatat kanë vendosur mjekimin e detyruar në një qendër spitalore civile të specializuar.
Për këtë problem, Avokati i Popullit ka kërkuar pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë me anë të një rekomandimi lëshuar në fillim të muajit shkurt të këtij viti që të merreshin masa urgjente për sistemimin e të sëmurëve mendorë në Institutin e Psikiatrisë Ligjore në Durrës.
"Por nga informacioni i paraqitur për këtë problem, jemi vënë në dijeni se ky objekt nuk i plotësonte standartet e kërkuara për një qendër të mirëfilltë shëndetësore. Nisur nga ky pretendim, gjatë muajit Mars 2009 përfaqësues të Avokatit te Popullit dhe Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer një inspektim të këtij objekti dhe më pas ky objekt është vizituar edhe nga vetë Avokati i Popullit së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Në përfundim të këtyre inspektimeve është konkluduar nga të gjitha palët se ambientet e Institutit te Psikiatrisë Ligjore në Durrës nuk janë të përshtatshme për ofrimin sipas standarteve të shërbimeve ndaj të sëmurëve mendore" thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit, drejtuar kryeministrit, ministrisë së Drejtësisë, së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve.
"Megjithatë për shkak emergjence tani mund të dërgohen përkohësisht rreth 70 të sëmurët mendorë nga Spitali i Burgut në atë të Durrësit. Kjo mund të bëhet përkohësisht" thuhej më tej në rekomandim.
Në këto rrethana Avokati i Popullit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kryen më datë 16 të këtij muaji një inspektim të përbashkët në Burgun e Krujës.
Ideja e përbashkët e inspektimit ka qenë mundësia që ky burg të projektohet dhe rikonstruktohet duke krijuar dy ambiente të veçanta, ku në njërën të vazhdojnë të sistemohen kategoritë ekzistuese të të dënuarve, ndërsa në tjetrën të sëmurët mendorë ndaj të cilëve është vendosur nga gjykata mjekim i detyruar në një qendër spitalore të specializuar.
"Nisur nga ambientet që ofron aktualisht Burgu i Krujës, Avokati i Popullit ka krijuar bindjen se një modifikim për qëllimet e mësipërme është plotësisht i mundshëm. Por për realizimin e tij nevojitet që fillimisht të krijohet një grup pune me ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët të hartojnë një projekt të veçantë, i cili së bashku me preventivin financiar ti kalojë për miratim Këshillit të Ministrave si pjesë e buxhetit për vitin 2010. Njëkohësisht mendojmë se në këtë projekt një zë të veçantë duhet të zërë edhe rikonstruksioni i rrugës që lidh këtë burg me qytetin e Krujës, pasi aktualisht ai është tejet i dëmtuar" thuhej më tej në rekomandim.
Avokati i Popullit rekomandon, krijimin e kushteve për transferimin e të sëmurëve mendorë që mbahen padrejtësisht në Qendrën Spitalore të Burgjeve Tiranë, në Burgun e Krujës dhe Inicimin e hartimit të një projekti të përbashkët me anë të një grupi ekspertësh të Ministrisë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe miratimin më tej të një buxheti për realizimin e këtij projekti.
k.k/NOA