Nga Edvin Cami*
Â
Letra e hapur që një student i vitit të parë në UP i drejtoi mëtuesit të fronit mbretëror të shqiptarëve, më tepër sesa një përpjekje për të fyer marrësin, dukej qartë se shkonte në drejtim të asaj që në shprehjen e vjetër popullore përshkruhet si "trokitje në prag për të dëgjuar dera". Shkurt, duke bërtitur para mëtuesit të fronit me thirrjen "larg duart nga Kosova!",
djaloshi entuziast për pavarësinë e sapofituar të shtetit të ri grindej sipas zakonit të zakonshëm të "vitparistëve" (kështu u thonë në zhargonin e të rinjve studentëve të vitit të parë) me shqetësimin interesant se pas Serbisë, tashmë është Shqipëria ajo që kërcënon me aneksim të Kosovës dhe të një të ashtuquajturi "kombi kosovar", për të cilin në Kosovë duket se pakkush di gjë, ndërsa në Shqipëri flet vetëm Fatos Lubonja (për ata që në Kosovë mund të mos e njohin, sqaroj se ky është një ndër ata shkrues gazetash që ne në Shqipëri i quajmë analistë. Por mos e ngatërroni, ju lutem, me analistë si ata që hyjnë "në të thella" në gazetat e mëdha botërore vetëm pasi kanë akumuluar informacione pa fund mbi çështje specifike. Te ne analistët shkruajnë në gazetat e mëngjesit muhabetet që kanë bërë në darkë nëpër kafene. Madje ju lutem të më falni për këtë sqarim, sepse si vëllezër të një gjaku e të një kombi që jemi, me siguri që edhe ju në Kosovë duhet të keni plot analistë si këta tanët dhe e dini se për çfarë e kam fjalën).
Â
Ajo që bën përshtypje është se ky djalosh merr guximin e flet në emër të të gjithë shqiptarëve të Kosovës, ndërsa unë jam i bindur që për të shprehur ato që thotë ai nuk ka marrë, të paktën, autorizimin e kosovarëve ndër "Tifozët Kuqezi", të cilët kanë dalë prej kohësh me sloganin "Një komb, një kombëtare" dhe kanë shtrirë në stadiumin kombëtar në Tiranë (që s'e marr vesh se pse dreqin quhet ende "Qemal Stafa") një flamur nga njëri kënd në tjetrin mbi tribunën ballore; çuditërisht një flamur të kuq me shkabë dykrenore në mes dhe jo ndonjë flamur blu me simbolika të çuditshme ahtisariane. Po ky flamur ishte ai që stoliste të gjitha rrugët e sheshet nga Tirana në Prishtinë edhe në Ditën e Pavarësisë, ndërsa flamuri i shtetit të ri (që tani u dashka të konceptohet si flamur i një kombi të ri) shfaqej në mënyrë simbolike, natyrisht, nga halli, vetëm në zyrën e kryeministrit Thaçi e në ndonjë qoshe tjetër të humbur.
Â
Bën, gjithashtu, përshtypje se çunaku i "blaton" mëtuesit të fronit edhe Çamërinë, Malin e Zi e Maqedoninë Perëndimore për t'i bashkuar me "atdheun e shqiptarëve" (kuptohet, pa lënë pa shtuar edhe fjalët "po jua mbajti!"). Vetëm "atdheun e kosovarëve" nuk u dashka të guxojë kush ta trazojë me "atdheun e shqiptarëve", sepse "kombi kosovar" paska luftuar 20 shekuj për të pritur 17 shkurtin 2008. Në të vërtetë, unë nuk e di se si ka gjykuar "kombi kosovar" më 1444-ën apo më herët, po të paktën në 1912-ën jam i sigurt që s'e ka pasur mendjen te produkti i 17 shkurtit 2008, por mezi priste që të "aneksohej" nga Shqipëria e 28 Nëntorit.
Â
Nga ana ime, unë dua të tregohem i përkorë. Ndaj edhe nuk kam si marr përsipër të flas në emër të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë. E di se edhe ndër ne ka ca nga ata që nuk i duan shqiptarët e Kosovës, për të cilët përdorin rëndom shprehjen "të trashë". Ndër ne ka, gjithashtu, plot toskë që nuk duan gegët e anasjelltas, plot lebër që nuk duan lalët e anasjelltas, plot qytetarë që urrejnë fshatarët e anasjelltas. S'di ç'të them në emër të tyre. E vetmja gjë që mund të them është që dy "kombet" tona po ecin me vendosmëri drejt një projekti njësimi. Rruga Durrës - Prishtinë, prirja drejt heqjes së regjimit kufitar dhe së fundi njësimi i sinjalit të celularit përmes "Valës" së Kosovës nuk kanë si të mos shihen pjesë e një bashkimi. E ndërsa kozmopolitizmi idealist i disave shkon në drejtim të rrëzimit të të gjitha kufijve në botë me kushtin pragmatist që vetëm mes shqiptarëve kufijtë të mos bien kurrë, unë, si shqiptar i Shqipërisë, me banim në Tiranë dhe me prejardhje të vjetër (1913) nga ajo që djaloshi i thotë "Maqedonia Perëndimore", po them se nuk shqetësohem fare nga përpjekjet "aneksuese" të "kombit kosovar" ndaj "kombit shqiptar", për shembull, përmes licencës së katërt celulare. Përkundrazi, më bëhet qejfi dhe mezi pres që Kosova të vijë e të na "aneksojë" apo "pushtojë". Nuk do të isha as kundër mendimit që në një komb të bashkuar si kryeqendër politike e kulturore të shihej Prishtina e jo Tirana, qyteti ku unë jetoj. Po ashtu, jam i gatshëm të pranoj edhe Fatmir Sejdiun si president në vend të Bamir Topit dhe të votoj Fatmir Limajn si kryetar bashkie në Tiranë në vend të Edi Ramës. Dhe nëse u dashka që shqiptarëve të Kosovës, për t'u përkufizuar kombësinë të mos u themi shqiptarë, por "kosovarë", atëherë edhe unë, pa ngurruar aspak, do ta përkufizoja kombësinë time si "kosovare".
Â
Sepse ndodh që unë, sikurse shumë shqiptarë të tjerë në këtë anë e në atë anë të kufirit, ndihem prej kohësh shumë i frymëzuar e i prekur prej vargjeve të "Poemës së Kosovarit", të shkruar prej Mitrush Kutelit e të recituar mjeshtërit prej Mirush Kabashit edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë (çuditërisht të pëlqyer shumë nga të dyja "kombet"). Dhe ndodh që shpesh, kur nuk më lind ndonjë melodi për të kënduar me vete gjatë ndonjë pune rutinë, më vijnë ndërmend pikërisht vargjet: "Jam shqiptar e kosovar,/zot e krenar mbi këtë dhé..."
Â
Edvin Cami, MA
Universiteti "Aleksandër Moisiu", Durrës
Fakulteti i Edukimit
Drejtues i Dept. të Gjuhës Angleze
Shënim i NOA: Shkrimi vjen si replikë për shkrimin e një dite më parë të Salih Imerit, Letër e hapur Mbretërisë Shqiptare: Hiqni dorë nga vendi im