English

Edi Rama në Fier, flet për zhvillimin rural të vendit

Fier, 23 prill NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi në komunën Grecalli në Qarkun e Fierit Programin e ri qeverisës të socialistëve.

Gjatë këtij prezantimi, kryetari i Partisë Socialiste Rama dhe hartuesit e Programit që e shoqërojnë, u ndal në politikat që PS do të zbatojë për zhvillimin rural të vendit.

Ai sqaroi deri në detaje se çfarë do të ndryshojë në fshat me këtë program të ri.

Një nga pikat themelore të këtij Programi është ngritja e një ministrie të veçantë për fshatin, që të përmbledhë të gjitha strukturat e domosdoshme dhe jo si deri më sot, ku kompetencat delegohen nga një ministri, në tjetrën.

"Gjëja e parë që ne do të bëjmë, është se do të ndërtojmë një strukturë tërësisht të re, një ministri të veçantë tërësisht për fshatin, që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural dhe do të adresoj problemin e madh të rimëkëmbjes së fshatit, duke e parë si një potencial jo vetëm të jashtëzakonshëm, por edhe tërësisht të pashfrytëzuar, me vetëdijen se nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane që ushqehet normalisht, në rast se nuk ka një fshat shqiptar që prodhon në kushtet normale", - deklaroi Rama.

Duke folur për politikat në favor të bizneseve të reja agroindustriale, Edi Rama nënvizoi një tjetër pikë të fortë të programit të socialistëve për zhvillimin rural. Duke iu premtuar të gjithë fermerëve në mbarë vendin se ashtu si është bërë në këto dy vjet në Dialogun me Shqipërinë, dhe nesër socialistët do të qeverisin bashkë me qytetarët në mbarë vendin.

"Bizneset agrare të reja ne do t'i përjashtojmë nga çdo tatim fitimi dhe çdo taksë në 3 vitet e para. Nuk do ta qeverisim fshatin nga kutia e televizorit, nuk do ta qeverisim fshatin nga salla e Parlamentit, nuk do ta qeverisim fshatin me fjalime me gënjeshtra. Do ta qeverisim fshatin bashkë këtu, duke bërë të mundura gjëra që sot duken padrejtësisht të mundura", - nënvizoi kreu i PS

"Programi ynë", u shpreh Rama, "nuk është një mal me premtime të pambajtshme, përkundrazi është një instrument i detajuar për të qeverisur të nesërmen e fitores më 29 Qershor".

e.l/NOA

KOMENTE