Elbasan 23 prill NOA - Policia ka mundur të gjejë sot në pikën kufitare të Kapshticës një 15-vjeçare e cila ishte larguar nga banesa e saj pa lënë adresë rreth dy muaj më parë.
E mitura me iniciale J.N, u largua nga banesa e saj në qytetin e Elbasanit më datë 17 shkurt të këtij viti dhe prej asaj dite, familjarët nuk kishin marrë asnjë sinjal për vendndodhjen e vajzës.
Pasi kanë kërkuar te shoqet e vajzës dhe te të afërmit e tyre, familjarët kërkuan ndihmën e policisë.
Familjarët e 15-vjeçares denoncuan në polici zhdukjen e të miturës, duke deklaruar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.
Policia e Elbasanit nisi menjëherë hetimet për të lokalizuar vendndodhjen e të miturës.
Kështu pas rreth dy muaj kërkimesh, 15-vjeçarja është gjetur ditën e sotme në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në tentativë për tu larguar drejt Greqisë.
Policia nuk bën me dije personat që shoqëronin vajzës, për shkak të hetimeve.
Burimet policore thanë se po punohet për të zbardhur vendstrehimin e të miturës që nga dita kur ajo është larguar dhe identifikimin e personave që shoqëronin 15-vjeçaren. Kjo e fundit iu dorëzua familjarëve vetëm pak orë pasi dëshmoi në polici rrethanat e largimit të saj të cilat për momentin nuk bëhen të ditura nga policia.
k.k/NOA