Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 23 prill NOA - Fatbardha Arapi përfaqëson një nga shumë pensioniste të kryeqytetit, jetesa e të cilës nuk ka pësuar përmirësim në vitet e fundit edhe pse pensioni i saj dhe i bashkëshortit është rritur në mënyrë të vazhdueshme.
"Është e vërtetë që pensioni më është rritur, por njëkohësisht është rritur edhe energjia elektrike, ushqimet, pra çdo gjë është bërë më e shtrenjtë. Kështu që unë nuk kam ndjerë përmirësim të jetesës", - shprehet ajo.
Kjo ishte vetëm një dëshmi, se si një çift pensionistësh në Tiranë vështirë të bëjë një jete komode.
Ndërkohë që Instituti i Statistikave (INSTAT) ka konstatuar se për vitin 2008, krahasuar me vitin 2005, varfëria në zonat urbane dhe bregdetare, si pasojë e rritjes së pagave dhe pensioneve është ulur.
Por ajo që vihet re është se në periferitë e Tiranës dhe në zonat malore varfëria është rritur.
Drejtorja e INSTAT, Ines Nurja duke folur sot për mediat, tha se në zonat malore varfëria është rritur me një për qind, ndërsa në zonat urbane varfëria është ulur nga 25 për qind në 2002 në 12.4 për qind në vitin që lamë pas. Â
Por këto rezultate pozitive për shtresën e varfër historikisht të shqiptarëve, rrezikojnë të përmbysen gjatë këtij viti, duke pasur parasysh që 2009 është një vit krize.
Ndaj Banka Botërore sugjeron që të rishikohen skemat e mbështetjes.
"Ekziston frika që të kemi kthim pas në rezultate. Ky nuk është faji i qeverisë por i krizës që ka përfshirë globin. Ndaj duhen gjetur rrugë të reja që ata njerëz që kanë dalë nga pragu i varfërisë të mos bien nën të", -pohoi sot, Camilla Nuamah, përfaqësuese e BB në Tiranë.
Zonat në të cilat vërehet  rritje e varfërisë janë Kukësi, Hasi, Tropoja, Librazhdi, Gramshi etj.
Ndërkohë jetesa është vështirësuar edhe për banoret e ardhur në periferi të Tiranës, konkretisht në Kamëz, Bathore, Paskuqan, Vorë etj.
r.l/NOA