English

Ndërkombëtarët serbëve të Kosovës: Decentralizimi vetëm sipas Ahtisaarit

Prishtinë, 23 prill, NOA - Decentralizimi në Kosovë do të zhvillohet sipas Planit të Ahtisaarit dhe ligjeve të Kosovës.

Këtë ua kanë konfirmuar përfaqësuesve të serbëve lokalë shefi i ICO-së, Pieter Feith, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Nga ana e tyre, përfaqësues të partive politike serbe dhe organizatave joqeveritare nga Graçanica kanë kërkuar pas këtij takimi me përfaqësuesin civil ndërkombëtar dhe ministrin Ferati, që të bëhen ndryshime në Planin e Ahtisaarit, në dispozitat ku flitet për decentralizimin. Një kërkesë e tillë është refuzuar nga Feith dhe Ferati, të cilët thanë se mund të ketë fleksibilitet, por jo edhe ndryshim të këtij plani, tashmë dokument bazë i statusit dhe Kushtetutës së Kosovës. Pieter Feith tha se takimi me serbët nuk ka të bëjë me rinegocimin e Planit të Ahtisaarit, por me informimin e tyre për procesin e decentralizimit dhe formimin e komunave të reja. "Ka ende mungesë besimi. Por, mendoj se brenda serbëve ka vullnet që të shikojnë kah e ardhmja, e ardhmja në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian", tha Feith. Ai tha se shpresonte që para vitit të ri do të ketë zgjedhje dhe do t'i shihte të formuara komunat e reja si rezultat i decentralizimit. "Gjithmonë ka vend për fleksibilitet nëse bëhet fjalë për detaje në lidhje me formimin e komunave të reja. Të gjithë jemi të hapur që të bisedojmë. Por, kjo nuk nënkupton hapjen e negociatave që tashmë janë mbyllur nga presidenti Ahtisaari", tha Pieter Feith. Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se decentralizimi është në të mirën e komuniteteve, sidomos atij serb. Kërkesat e serbëve për ndryshime në Planin e Ahtisaarit, ai i cilësoi të papranueshme. "Të gjithë ata që kërkojnë përjashtime nga Pakoja e presidentit Ahtisaari janë qëllimkëqij, ngase kjo pako duhet të implementohet në tërësi dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe është një projekt, për nga kualiteti, shumë i mjaftueshëm, që do të sigurojë komuna të fuqishme dhe realizimin e interesit të të gjithë qytetarëve", tha Ferati. Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq, një përfaqësues politik i serbëve që bojkotojnë institucionet e Kosovës, tha se pjesa më e madhe e këtij komuniteti mbështet Beogradin, sipas të cilit, decentralizimi nuk mund të zhvillohet sipas Planit të Ahtisaarit.

Plani i Ahtisaarit nuk ofron decentralizim përmbajtjesor dhe këtë qëndrim ne ia kemi prezantuar edhe presidentit Ahtisaari qysh në fazën e negociatave.

"Plani i Ahtisaarit nuk ofron decentralizim përmbajtjesor dhe këtë qëndrim ne ia kemi prezantuar edhe presidentit Ahtisaari qysh në fazën e negociatave", tha Nojkiq. Kërkesat e serbëve janë specifike dhe ato nuk mund të ndërlidhen me interesat e komuniteteve tjera në Kosovë, tha Nojkiç. Ndryshe nga Nojkiç, Bojan Stojanoviç, shef i Grupit Parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale, që merr pjesë në punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, tha se është në interesin e serbëve që të pranojnë decentralizimin. Me Planin e Ahtisaarit parashihet formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe. Një nga parakushtet për formimin dhe instalimin e organeve komunale në këto komuna, mbetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, të parapara për vjeshtën e këtij viti. Autoritetet e Prishtinës, si edhe prania ndërkombëtare në Kosovë, i kanë intensifikuar takimet me përfaqësuesit e serbëve, sidomos ata të pjesës qendrore të Kosovës, që të marrin pjesë në këto procese. Takimi u tha se ishte një prej takimeve që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të sigurimit të pjesëmarrjes aktive serbe në proceset politike.

NOA-INA

KOMENTE