English

Policia e Gjirokastrës godet një grup të trafikimit të klandestinëve që drejtohej nga një grua

Gjirokastër 23 prill NOA - Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga ditën e sotme tre persona pasi akuzohen se trafikonin klandestinë drejt shtetit Grek.

Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër organizoi sot një operacion të koduar "Parkimi i fundit " i cili u finalizua me arrestimin e 33-vjeçares Marjana Nako, 48-vjeçarit Lame Dhandili, dhe 37-vjeçarit Artur Stroka, lindur dhe banuesa në Gjirokastër.

Tre të arrestuarit dyshohet se bënin të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të personave të ndryshëm kundrejt një shume parash.

Sipas policia grupi dyshohet se drejtohej nga 33-vjeçarja Marjana Nako, e cila rekrutonte klandestinët nga lidhjet e saj në qytete të ndryshme si Dibër , Durrës, Berat, Fier, Lushnjë,etj.

Më pas klandestinët kaloheshin përmes kufirit jeshil në të dy anët e doganave, "Tre Urat" dhe nga "Kakavija" kundrejt shumave prej 1800 deri në 2000 Euro për person.

Në kalimin e paligjshëm të kufirit të këtyre shtetasve kundrejt shumave të parave Marjana Nako, ndihmohej nga Lame Dhandili dhe Artur Stroka, si dhe nga persona të tjerë të identifikuar nga policia e cila po punon për kapjen e tyre.

Burime nga policia thanë se investigimi për zbulimin e këtij grupi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte nisur muaj më parë dhe u finalizua sot, pas grumbullimit të provave ligjore në ngarkim të tre personave.

Ky aktivitet është ushtruar në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit duke ndihmuar për kalim të paligjshëm dhjetëra shtetasve.

Gjykatën e rrethit Gjyqësor Gjirokastër, vendosi sot masën e sigurisë "Arrest në burg' për të tre të arrestuarit të cilët akuzohen për veprën penale "Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimin" e kryer në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, 300 Euro, automjeti tip-Kia në pronësi të 33-vjeçares Marjana Nako , me targa të huaja MYH 12 44, dhe automjeti tip-Audi në pronësi të 37-vjeçarit Lame Dhandili me targë GJ 91 35 A, si dhe gjashtë celularë të cilët i përdornin personat e arrestuar.

k.k/NOA

KOMENTE