Tiranë 23 prill NOA -Â Deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade gjatë fjalës së saj, sot
në kuvend, i ka bërë thirrje kryeministrit të pranojë propozimin e opozitës për heqjen e taksës së kartave të identiteti.
"Vota është një e drejtë, jo një taksë. Hiqni taksën që të fitojë e drejta më themelore e një demokracie, vota e lirë. Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar nisma të ndryshme të zotit Berisha, për të ulur aty-këtu barrën financiare të familjeve shqiptare sa i përket kartave të identitetit. I themi zotit Kryeministër që ta ndërpresë këtë farsë dhe të pranojë propozimin transparent dhe të hapur të opozitës për detaksimin e kartave të identitetit' u shpreh Dade
"Mjafton t'i hedhësh një sy numrit të aplikimeve, gjeografisë së përhapjes së zyrave të aplikimit dhe mënyrës së shpërndarjes së kartave të identitetit, për të kuptuar se qeveria po luan në mënyrë të çorganizuar dhe tendencioze me këtë çështje kruciale për mbarëvajtjen e procesit elektoral të 28 qershorit" shtoi me tej deputetja e PS Dade.
Sipas saj opozita ka ofruar konsensus të plotë dhe të pakushtëzuar për reformën zgjedhore. Dade u shpreh se - "Partia Socialiste ka qenë e angazhuar maksimalisht dhe vazhdon të jetë e angazhuar që procesi të avancojë shpejt dhe në mënyrë transparente. Por nëse kjo mund të thuhet për miratimin e paketës zgjedhore nga Kuvendi, ecuria e pajisjes së shtetasve, një detyrim i qeverisë aktuale, po vë në rrezik të gjithë procesin".
k.k/NOA