Tiranë, 23 prill NOA Update - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama deklaroi sonte se "Sali Berisha dhe shpura e tij morën një vendim të paligjshëm për të ngritur një tjetër komision hetimor për Bashkinë e Tiranës dhe mua personalisht".
Kryebashkiaku theksoi se ky komision hetimor është i paligjshëm. "Ligji ndalon krijimin e komisioneve hetimore katër muaj para zgjedhjeve", - pohoi ai.
Ndërsa përforcoi: "Ky komision hetimor është i jashtëligjshëm për shkak se gjykata
kushtetuese është shprehur lidhur me marrëdhëniet mes Parlamentit dhe pushtetit vendor, por ky nuk është një komision hetimor gjithsesi është një sulm politik i ulët e i organizuar për të kompensuar sipas organizatorëve të tij atë boshllëk të tij mes tyre dhe zgjedhësve dhe për të shmangur sipas tyre atë që ata nuk do ta shmangin dot humbjen, madje i siguroj edhe Sali Berishën edhe shpurën e tij se me këtë komision hetimor kanë dhënë edhe një arsye më shumë se pse duhet të largohen, kanë dhënë edhe një arsye më shumë se pse nuk janë të denjë të qeverisin Shqipërinë e vitit 2009 në shekullin e 21, në mes të Europës".
Rama theksoi se "çdokush e di se ky komision hetimor nuk është asgjë e re, por thjesht rivënia në skenë e së njëjtës shfaqje të vjetër, një sulm me çdo mjet për të arritur me çdo kusht atë që ata edhe këtë herë nuk do ta arrijnë dot të shmangin humbjen e tyre në një ballafaqim i cili si edhe herë të tjerë është paraprirë nga sulme të tilla të ulëta".
Kurse kujtoi faktin se dy vjet më parë, "një tjetër truk i pistë i kësaj natyre u vu në jetë përmes shpërndarjes së fotografive personale që synonin goditjen drejtpërdrejt të personalitetit dhe dinjitetit tim për të goditur në fakt kandidaturën time dhe përgjigjja e qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës ishte e qartë dhe e prerë, humbje për këta zotërinj".
Rama evidentoi edhe se gjashtë vjet më parë, përsëri në prag të fushatës elektorale, përsëri në momentin e një tjetër ballafaqimi, "një tjetër komision hetimor, me të njëjtat akuza, në të njëjtën formë dhe me të njëjtën përgjigje të qartë dhe të prerë nga ana e qytetarëve dhe e qytetareve të këtij vendi, humbje për ata që e organizuan, për Sali Berishën dhe shpurën e tij".
e.l/NOA