Tiranë, 23 prill, NOA - Tre ambasadorë të përfaqësive evropiane në vendin tonë kanë ndërmarrë sot një takim të veçantë me kryetarin e opozitës, Edi Rama, në të cilin besohet se është diskutuar mbi zgjedhjet dhe sidomos çështjen e mprehtë të kartave të identitetit.
Sipas të dhënave paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, takimi është zhvilluar në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe ai flet për interesimin e madh të ndërkombëtarëve për situatën politike në Shqipëri.
Burime për NOA-n pohojnë se në këtë takim kanë qenë të pranishëm ambasadori amerikan, John Withers, ambasadorja çeke Marketa Fialkova si dhe ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.
Takimi zhvillohet në një kohë kur opozita e përfaqësuar nga kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka paralajmëruar bojkotim të seancave plenare, deri në realizimin e kërkesës për marrje të kartave të identitetit falas. Opozita u largua që të enjten e kaluar nga salla e Kuvendit për shkak të një kërkese të tillë e cila sipas saj, nuk po gjen përgjigje nga mazhoranca.