English

Zannier: UNMIK do të qëndrojë në Kosovë

INTERVISTA/ Shefi i misionit të OKB në Kosovë Lamberto Zannier flet për rolin e këtij misioni në të ardhmen.

Z.Zannier, a mund të jepni një vlerësim se sa kohë duhet që ta përmbyllet misioni i OKB-së në Kosovë?

- Rikonfigurimi është një proces të cilin vështirë mund ta përcaktoni në aspektin kohor dhe përmbajtësor, sepse është i ndikuar nga faktorët e jashtëm kohorë.

Në fakt, UNMIK-u asnjëherë nuk ka qenë i njëjtë. Madje as edhe atëherë kur kryente funksionet e administratës së përkohshme sepse kishte faza kur ishte relativisht i vogël apo edhe faza të tjera kur ishte më i madh.

Por tani mendoj se kemi marrë rrugën e bartjes së funksioneve në fushën e rendit dhe të ligjit në duart e BE-së dhe të EULEX-it. Ne kemi marrë rrugën e rikonfigurimit drastik deri në atë masë sa ky mision është zvogëluar në një mision me funksion politik.

Megjithëse ne ende kemi një prani të konsiderueshme në veçanti në veri. Atje kemi ende funksione si ato të natyrës së parandalimit të konflikteve si dhe ende ka funksione administrative. Kështu kjo duket sot dhe puna që duhet bërë.

Tani e tutje ne do ta vlerësojmë situatën dhe këtë do ta bëjmë së bashku me Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe do të shohim se cila do të jetë atmosfera. Unë do të bëjë propozimet e mia gjithashtu për hapat e ardhshëm. Por në këtë moment ne po e përfundojmë pjesën e parë të rikonfigurimit dhe detyra tani është që t'i japim fund kësaj.

Kur thoni se do të bëni propozime a do të thotë kjo se do të propozoni që UNMIK-u ta lë Kosovën, sepse udhëheqësit kosovarë nuk ju duan më këtu?

- Ka shumë skenarë të mundshëm ku mund të bazohem. Para së gjithash Këshilli i Sigurimit do të ketë fjalën e tij të fundit për këtë. Do të duhet të shohim se cilat do të jenë lëvizjet e fundit dhe unë jam këtu sepse ka disa zëra në Këshill të Sigurimit që thonë se kur ta kem arritur fazën finale të rikonfigurimit aktual, do të duhet ta stabilizojë misionin dhe të mbajë këtë nivel.

Nëse kjo konfirmohet atëherë më duhet të kthehem këtu, të diskutojë me autoritetet e Kosovës dhe të shoh se cilat do të jenë reagimet e tyre në këtë pikë. Përndryshe ka gjithmonë mënyra për të ndryshuar në mënyrë të dukshme natyrën e operacionit duke e transformuar psh natyrën e misionit në atë politik, edhe formalisht, duke përfshirë këtu edhe ndryshimin e emrit në një fazë dhe zinxhirin komandues. Një nga opsionet që do të duhej të konsiderohej është edhe kjo.

Zinxhiri komandues i kujt?

- Zinxhiri komandues brenda OKB-së, duke lëvizur nga familja e operacioneve paqeruajtëse në familjen e operacioneve politike. Përmes kësaj gjithashtu të ndikohet në natyrën e funskioneve të tij në një mënyrë që të bëhet i pranueshëm edhe për autoritetet në Kosovë. Por për këtë do të nevojitej një miratim i Këshillit të Sigurimit si dhe pala serbe duhet të shprehë pikëpamjet e saj.

Kur thoni KS i OKB-së. Rezoluta 1244 është bazë edhe e UNMIK-ut por edhe e EULEX-it. Misioni evropian për drejtësi dhe polici i raporton KS të OKB-së. Pse atëherë ju duhet të vazhdoni të raportoni në KS të OKB-së kur këtë e bën EULEX?

- Sepse Rezoluta 1244 thotë se duhet të ketë një përfaqësues të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe se puna e tij duhet të jetë koordinimi me praninë civile. Prandaj Rezoluta 1244 e parasheh praninë time dhe rolin tim edhe nëse nuk ka asgjë që do të ndalonte një rol gjithnjë e më të madh të EULEX-it, si një nga komponentet e pranisë civile që zbaton Rezolutën.

Pra, kjo do të thotë se ju do të vëzhgoni EULEX-in, institucionet e Kosovës si dhe institucionet serbe në veri të Kosovës?

- Në një mënyrë, po.

Por atëherë si mendoni ta ndihmoni dialogun mes Prishtinës e Beogradit në fusha të ndryshme posaçërisht në veriun e Kosovës?

- Dialogu po zhvillohet tashmë në terren. Ai është ndihmuar nga ne dhe nga të tjerët dhe ky nuk është një rol ekskluziv që ne po luajmë. Ka shumë elemente të faktorit ndërkombëtar të përfshirë këtu.

Një angazhim i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe Beogradit do të ishte mënyra më e mirë për t'i adresuar problemet. Megjithëse ka elemente vendore që duhet të merren parasysh kur të bëhet ky dialog.

Kjo është arsyeja që ne po insistojmë nga të dyja palët që të gjejnë dhe të krijojnë kushtet që një dialog i këtillë i drejtpërdrejt të zhvillohet.

Dhe roli juaj në këtë dialog të drejtpërdrejtë do të jetë?

- Nëse do të ketë dialog të drejtpërdrejtë, ne thjesht do të tërhiqemi dhe ta vëzhgojmë atë.

BBC

KOMENTE