English

Asambleja Kombëtare e PS: Berisha po përdor administratën publike në funksion të fushatës

Tiranë 24 prill NOA - Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS, Ilir Gjoni ka dhënë një deklaratë për shtyp sot me anë së cilës shprehet se qeveria po përdor asetet dhe administratën publike në funksion të fushatës.

"Sot, kur kanë ngelur dhe rreth 60 ditë nga fundi i regjimit Berisha, në prag të fillimit të fushatës elektorale, integriteti dhe besueshmëria e zgjedhjeve janë në pikëpyetje. Kjo edhe për shkak të përdorimit të administratës publike për interesat e Partisë në pushtet.

Nën qeverinë Berisha administrata publike është bërë si fëmijë i adoptuar i Partisë Demokratike. Asgjë nuk del jashtë sferës së influencës politike të PD, duke filluar nga siguria kombëtare te sistemi i drejtësisë dhe gjithçka ndodhet mes këtyre" deklaroi Gjoni.

Sipas tij paanësia e Administratës Publike është një prioritet kyç i Partneritetit Europian. "Lëvizjet e shpeshta të administratës për arsye politike, moszbatimi i Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet mbi baza partiake, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, përdorimi në tërësi i administratës publike për qëllime politike, të ngritura me shqetësim të vazhdueshëm nga partnerët ndërkombëtarë dhe opozita po merr përmasa gjithnjë e më alarmante me afrimin e fushatës zgjedhore" shtoi më tej Gjoni.

Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Ilir Gjoni u shpreh se "është e rëndë situata edhe me përdorimin politik që i bëhet një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit me një rol kyç në mbarëvajtjen e proçesit të ardhshëm zgjedhor që është Policia e Shtetit".

"Partia Socialiste garanton se me ardhjen në pushtet pas 28 Qershorit do ta zhveshë administratën publike nga "sistemi i favoreve politike e korruptive", i ngritur nga qeveria e Partisë Demokratike" përfundoi në deklaratën e tij Ilir Gjoni.

k.k/NOA Â

KOMENTE