Alba Filipi
Korçë, 24 prill NOA - Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme", ka zhvilluar sot në qytetin e Korçës, konkursin "Vlera e vërtetë e parasë!"
Si pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë në datën 13 dhjetor 2007, ky konkurs përbën një iniciative konkrete në kuadër të programit të edukimit ekonomiko-financiar që Banka e Shqipërisë ka filluar të zbatojë vitet e fundit.
Banka e Shqipërisë thotë gjithashtu se konkursi synon të nxisë nxënësit drejt studimeve të thelluara në financë e degë të ngjashme, dhe njëkohësisht shërben në zhvillimin e kulturës ekonomike të vendit.
Konkursi, në të cilin merrnin pjesë 11 shkolla të rrethit të Korçës dhe fshatrave përreth, është i dyti i zhvilluar deri më tani, mbas konkursit të zhvilluar në Shkodër, dhe do të pasohet nga një tjetër konkurs në qytetin e Gjirokastrës.
Skuadra fituese e Korçës, shkolla "Themistokli Gërmenji" do të konkurrojë në fazën finale që do të zhvillohet në rang kombëtar në 5 qershor 2009, në qytetin e Tiranës.
Konkursi u ndoq drejtpërdrejt në teatrin "A.Z. Cajupi" të qytetit, nga nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit dhe familjarë të pjesëmarrësve në të.
Duke vlerësuar punën në grup si dhe atë individuale, në fund të aktivitetit Banka e Shqipërisë ndau edhe çmime simbolike.
a.f/NOA