English

Biberaj përshëndet Rezolutën e PE për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Tiranë, 24 prill NOA - Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, përshëndeti sot Rezolutën e Parlamentit Evropian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Biberaj, theksoi se "Rezoluta e Parlamentit Europian, e cila kërkon integrimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, liberalizimin e shpejtë të regjimit të vizave Shengen për qytetarët e këtyre vendeve, si dhe koordinimin e një plani ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon edhe një herë se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i rëndësishëm i politikës europiane.

Gjithashtu, kjo rezolutë për Biberajn, përbën një inkurajim për vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të reformave demokratike të ndërmarra nga vendet e Ballkanit Perëndimor".

Deputeti Biberaj tha më tej se integrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, lëvizja e lirë e qytetarëve të këtyre vendeve, si dhe planet për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, i shërbejnë më së miri paqes dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të vetë Evropës.

"Ky qëndrim i Parlamentit Europian vjen në momentin e duhur për Shqipërinë, pasi brenda disa ditëve Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian", përfundoi z. Biberaj.

e.l/NOA

KOMENTE