Shkodër, 24 prill, NOA - Eshtë nënshkruar nga 300 qytetarë në qytetin e Shkodrës peticioni kundër ndërtimit të mundshëm të një centrali bërthamor në këtë zonë të vendit.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, nismëtari i kësaj iniciative dhe që po merret direkt me mbledhjen e firmave është deputeti i Partisë "Ligj dhe Drejtësi", Gilman Bakalli.
"Qytetarët shkodranë e ndërmarrin këtë nismë të përbashkët për t'i thënë STOP politikave të shkatërrimit. Procesi i mbledhjes së firmave do të vazhdojë", deklarojnë iniciatorët e këtij peticioni.
Deri tani, të dhënat tregojnë se janë siguruar 300 firmat e para që kundërshtojnë ngritjen e këtij centrali.
Pak ditë më parë, qytetarët e Shkodrës u alarmuan rreth lajmeve që përfliteshin më media mbi ndërtimin e mundshëm të një centrali bërthamor në zonën e tyre dhe menjëherë kanë reaguar duke vendosur postera ku bëhej thirrje për ndalimin e zbatimit të projektit të fshehtë mes Shqipërisë dhe Kroacisë. "Të bashkohemi për të ndalur kancerin në Shkodër dhe lindjet e deformuara që do shkaktojë centrali bërthamor", thuhej në postera.
n.e/NOA