Tiranë, 24 prill NOA - Dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit, Petrit Brahja, 39-vjeçar, kërkoi sot nga Gjykata e Tiranës lirimin e tij nga qelitë duke denoncuar edhe se brenda burgut kanë tentuar ta dëmtojnë duke përfituar nga fakti se ai qëndron mbi një karrocë për persona të paralizuar.
Nën masa të rrepta sigurie i dënuari me 10 vjet burg për grabitjen e bankës në Bajram Curri,
ka deklaruar se vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe se në Spitalin e Burgut nuk kishte medikamente dhe kujdesin e veçantë, që kishte pasur në Francë, përpara se të ekstradohej në vendin tonë.
Avokati mbrojtës i Brahjes, Asaf Hadëri ka shpjeguar se klienti i tij pas atentatit në vitin 2001, prej të cilit mori 6 plumba, mbeti i paralizuar, si dhe në trup ka ende mbetje metali.
Për këtë fakt ai i ka paraqitur gjykatës të gjitha deklaratat e mjekëve të Francës si dhe të Turqisë ku është mjekuar më parë klienti i tij.
Po ashtu mbrojtja i ka paraqitur një deklaratë të prokurorit të përgjithshëm të Francës, ku shpjegonte se edhe pse ishte arrestuar për interes të vendit tonë, Brahja duhet të lirohej dhe të mjekohej në një spital të veçantë.
Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, prokurorja i ka kërkuar gjykatës shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e dosjes në Gjykatën e Tropojës.
Kërkesa e bërë nga akuza është pranuar nga gjykata.
e.l/NOA