Tiranë 24 prill NOA - Një sherr për motive të dobëta për pak i ka kushtuar jetën një 55-vjeçari i cili masakrua nga dy persona që më pas i shkatërruan makinën dhe i vodhën edhe paratë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së sotme në bulevardin "Gjergj Fishta" në Tiranë kur Behar Aliaj 50-vjeç dhe Sqarim Hysi 57-vjeç dyshohet se kanë goditur me mjete të forta 55-vjeçarin Fatmir Caushaj dhe më pas i kanë marrë edhe paratë në makinë.
Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, në Tiranë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur autorët dhe shkaqet e plagosjes, ndërsa 55-vjeçari u transportua me urgjencë në spital nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia thanë se Aliaj dhe Hysa kanë nisur një sherr me 55-vjeçarin Caushaj ku pas fjalëve të ndërsjella, janë përdorur sendet e forta.
Dy personat dyshohet kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, në kokë dhe në pjesën e trupit, Fatmir Caushajn i cili ka rënë në tokë për shkak të goditjeve.
Autorët duket se nuk janë mjaftuar me plagosjen e 55-vjeçarit por i kanë thyer edhe xhamin e automjetit tip-fugon në pronësi të tij duke i vjedhur shumën e parave prej 38 000 lekësh.
Sipas policisë u arrestua Behar Aliaj ndërsa Sqarim Hysi do të ndiqet në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprat penale të "vjedhjes", "shkatërrimit të pronës" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje" në bashkëpunim.
k.k/NOA