English

Qentë sulmojnë rëndë një 7-vjeçar, lufton me vdekjen në spital

Prishtinë, 24 prill NOA - Një fëmijë i moshës 7-vjeç ka marrë të premten plagë në këmbë, kokë dhe krah, nga sulmi që i është bërë nga qentë endacakë afër një deponie të bërllokut në lagjen "Kodra e Trimave", në Prishtinë.

Bëhet fjalë për Elton Ratkocerin, i lindur në vitin 2002, i cili menjëherë është transferuar në Qendrën Emergjente për t'i dhënë ndihmën e parë. Jeta e tij është jashtë rrezikut. Zëdhënësi i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu, i cili deklaroi për KosovaLive se gjatë ditës në emergjencë është sjellë një fëmijë i moshës 7-vjeçare, si pasojë e sulmit nga qentë endacakë. "Bëhet fjalë për Elton Ratkoceri, i lindur në vitin 2002, të cilit i është dhënë ndihma e parë në emergjencë dhe është transferuar në Klinikën Infektive për trajtim të mëtutjeshëm nga stafi mjekësor", tha ai. Zyrtari i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, konfirmoi rastin. Sipas tij fëmija është jashtë rrezikut për jetën edhe pse ka pësuar lëndime të rënda në këmbë, krah dhe kokë. "Tani ai është nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të QKUK-së", tha ai. Ky është rasti i dytë brenda pak muajve pas rastit tragjik në Karaqevë të Poshtme të Komunës së Dardanës, kur një turmë e qenve endacakë mbytën nxënësin e klasës së parë të këtij fshati, Erion Foniqi, derisa po shkonte për në shkollë, rreth 300 metra larg shtëpisë së tij. Kjo komunë, si dhe komunat e tjera, pas këtij rasti kanë ndërmarrë aksione për eliminimin e qenve endacakë, por si duket numri i tyre është ende i madh.

KOMENTE