Paris, 24 prill NOA Update - Kryeministri Sali Berisha u prit sot në një takim nga Presidenti i Francës Nikola Sarkozi, në Pallatin Elyzee.
Sarkozi e falënderoi që iu përgjigj ftesës së tij për të vizituar Elyzee dhe i uroi mirëseardhjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke i shprehur edhe mirënjohjen dhe falënderimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë me forcat e saj përkrah NATO-s në operacionet e saj, si dhe përkrah forcave të Kombeve të Bashkuara në Çad.
Presidenti Sarkozi i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, u shpreh Presidenti Sarkozi, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.
Berisha falënderoi Presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm.
Presidenti Sarkozi u shpreh se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. Kurse shtoi: "Franca mbështet të gjithë proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë".
Presidenti Sarkozi shprehu falënderimet gjithashtu, për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez. Ai u shpreh se "qeveria franceze do të punojë dorë më dorë me qeverinë shqiptare dhe ju do të keni gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen tonë".
Ndërkohë, Kryeministri Berisha i kujtoi faktin Sarkozisë se Shqipëria, është një vend që ka vuajtur shumë nga mungesa e sigurisë ndër vite.
"Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndjerë edhe më e sigurt".
"Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj, - vijoi Kryeministri - për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë.
Për realizimin e këtyre dy projekte të mëdha dhe për t'i ndryshuar faqen Shqipërisë, tha Kryeministri, ne kemi ndërmarrë reforma të thella, shpesh herë të vështira, por kjo ishte rruga e vetme që shqiptarët të shohin të realizuar ëndrrën e tyre për integrimin në NATO dhe atë në BE.
Në kuadër të thellimit të reformave, Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Investimet e kompanive franceze, me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, siguroi Kryeministri, do të jenë një histori suksesi në Shqipëri.
Ne jemi një vend i vogël, - u shpreh Berisha - por me potenciale shumë të mëdha në energjetikë, në minerale, turizëm, kemi një krah pune ndër më të favorshmit në Evropë. "Ne kemi ndërmarrë reforma të mëdha ekonomike, bëmë ligjin për partneritetin publik privat, në 3-4 vite, ne do të kemi një rrjet të ri infrastrukturor, duke qenë se kemi trashëguar një rrjet të prapambetur, por, mbi të gjitha, për qeverinë time është dhe do të mbetet prioritet arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve tanë", - shtoi Berisha.Â
Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të qershorit, Kryeministri Berisha tha se qeveria që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme.
Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, - tha Kryeministri - është edhe pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike.
Sakaq, Presidenti Sarkozi u shpreh se "së shpejti do të vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë".
e.l/NOA