Lushnjë, 24 prill NOA / Lajm e foto Update - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, takoi sot qindra gra, nëna e vajza të Lushnjes, në vijim të turit "Gratë për fitoren".
Topalli vlerësoi nënat, gratë dhe vajzat e Lushnjes, sikurse të gjitha gratë në Shqipëri si mbështetëse të reformave, aleate të projektit Shqipëria po ndryshon.
"Në mandatin e ardhshëm bashkë ne do të vazhdojmë të ulim varfërinë edhe në zonat malore ashtu siç e kemi bërë në zonat rurale. Në mandatin e ardhshëm bashkë ne do të vazhdojmë të rrisim investimet", - premtoi ajo.
Topalli shtoi se "së bashku me ju ne mund të krijojmë një Shqipëri, në të cilën çdo grua të trajtohet me respekt dhe dinjitet, çdo burrë e grua të duhet e të trajtohet në mënyrë të barabartë, edhe çdo familje të ketë shpresën e një familje të fortë".
"Unë, - vijoi Kryetarja e Kuvendit, - flas për gratë që luftojnë për të mundur sëmundjet. Duke folur edhe në Lushnjë, unë flas për gratë që luftojnë kundra kancerit, flas për gratë që rrisin fëmijët, flas për gratë që vuajnë nga dhuna në familje, flas për ato që janë vetëm".
Kurse theksoi: "Ne do t'ju ndihmojmë siç e bëmë me mësueset, punonjëset e administratës apo me biznesmenet, duke ia ulur taksat".
"Do të vazhdojmë të mbështesim personat me aftësi të kufizuara. Edhe më shumë do bëjmë. Edhe më fort do t'ju mbështesim" - tha ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit, në fjalën drejtuar zonjave, nënave dhe vajzave të Lushnjes.
e.l/NOA