English

Zbulohet superhajduti i kartave celulare në Shkodër, si i realizonte vjedhjet

Shkodër, 25 prill NOA - Një burrë lezhjan, i cili nuk reshtte së vjedhuri bizneset e vogla duke u rënë më qafë sistematikisht, më në fund ka rënë në prangat e policisë dhe ca kohë do të çlirojë qytetin nga seriali i vjedhjeve.

Arrestimi i 51-vjeçarit Hile Gjokehilaj, lindur e banues në fshatin Kodhel, Komuna Blinisht, Lezhë është bërë në minutat e para të ditës së Shtunë, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA që citon burime zyrtare të policisë vendore.

"Ndalimi i tij u bë i mundur, në baze të informacioneve të marra në rrugë operative dhe si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga Drejtoria e Policisë Shkodër", pohuan zyrtarët vendorë të policisë.

I arrestuari i sotëm, është provuar se ka kryer listën e mëposhtme të vjedhjeve:Â

1. Më dt. 15.03.2009, në lagjen "Skënderbeg" të qytetit Shkodër, në një dyqan, ka vjedhur 12 karta rimbushëse AMC dhe Vodafone.

2. Më dt. 10.04.2009, në lagjen "Liria", ka vjedhur në një dyqan 24 karta rimbushëse AMC dhe Vodafone dhe sende të tjera.

3. Më dt. 12.04.2009, po në lagjen "Liria", ka vjedhur në një dyqan 66 paketa cigare te markave te ndryshme dhe 7 karta rimbushëse AMC dhe Vodafone.

4. Më dt. 16.04.2009, ne lagjen "Skënderbeg" të qytetit, ka vjedur 9 karta rimbushëse AMC dhe Vodafone.

5. Më dt. 21.04.2009, në lagjen "Skënderbeg" të qytetit, ka vjedhur 8 karta rimbushëse AMC dhe Vodafone.

6. Më dt. 22.04.2009, në lagjen "Daniel Matlia", Shkodër, ka vjedhur në një dyqan 10 karta rimbushëse AMC dhe Vodafone.

7. Më dt. 23.04.2009, ne lagjen "Perash", ka vjedhur në një dyqan një sasi materialesh me vlere, 4 karta rimbushëse Vodafone, disa sende me përbërje sermi, etj.

Nga hetimi doli se 51-vjeçari Hile Gjokehilaj, i ka realizuar këto vjedhje, duke hyrë në dyqane, duke bërë porosi për shumë mallra, dhe pasi i vendoste pranë vetes ato mallra, i kërkonte shitësve apo shitëseve, sende të cilat ndodheshin larg banakut të dyqanit, duke krijuar kështu mundësinë, që të largonte shitësit nga banaku dhe të ikte pa u vënë re.

"Nga ana jonë është bërë e mundur dokumentimi ligjor i të gjitha rasteve, me prova, janë kryer veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të të dyshuarit, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të vjedhjes", detajoi policia.

r.d/NOA

KOMENTE