English

Bashkia e Tiranës: Do ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, për komisionin e jashtëligjshëm ndaj Ramës

Tiranë 25 prill NOA - Drejtoresha Juridike e Bashkisë së Tiranës Migena Vishko ka reaguar sot ndaj ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar në ngarkim të kryetarit të Bashkisë Edi Rama duke e quajtur antikushtetuese.

"Pasi kemi shqyrtuar me kujdes kuadrin ligjor në fuqi, në Republikën e Shqipërisë, mbi të cilën ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare, rezulton se komisioni i ngritur me datë 23 prill , është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues. Ky komision hetimor është miratuar në kundërshtim flagrant me ligjin dhe detyrimisht nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore" deklaroi drejtoresha Juridike e Bashkisë së Tiranës Migena Vishko.

Në deklaratën e saj ajo u shpreh se "ngritja e komisionit vjen në kundërshtim të plotë me nenin 4, pika 6 të ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 për "Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", i cili përcakton se: "Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit'.

"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, shprehen qartazi se parlamenti i Shqipërisë nuk mund kurrsesi të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal. Në cilësinë e Drejtorit Juridik të Bashkisë së Tiranës, pasi kam shqyrtuar me kujdes të gjitha dispozitat ligjore dhe kushtetuese, më rezulton se Komisioni Hetimor është i jashtëligjshëm, ndaj nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore" shtoi me tej Vishko.

Ajo i ka propozuar sot Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta shpallur antikushtetues këtë komision hetimor dhe shfuqizuar këtë vendim, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe njëkohësisht për të marrë masën e pezullimit të zbatimit të tij, deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.

k.k/NOA

KOMENTE