Prishtinë, 25 prill, NOA - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka qëndruar për një vizitë private në Shkup, duke takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ate të Demokracisë së Re, Imer Selmani, në një drekë të përbashkët.
Sipas agjencisë së lajmeve INA, kryeministri kosovar në agjendën e tij ka pasur edhe takime të tjera, të cilat nuk janë zbardhur nga Thaçi.
I pyetur se pse Maqedonia po shtyn vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, kryeministri Thaçi ka shtuar se "Maqedonia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ai ishte një hap i drejtë, ajo ishte një zgjidhje e mirë e mundshme midis dy popujve. Këto marrëdhënie do të rezultojnë me përparime tjera".
Thaçi ka shtuar se duhet të krijohet një ambient i ri në rajonin e Ballkanit. Lidhur me raportet midis Maqedonisë dhe Serbisë, kryeministri kosovar ka theksuar se çdo përmirësim i marrëdhënieve midis shteteve është në interes të bashkëpunimit dhe stabilitetit.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Hashim Thaçi në Maqedoni me një axhende private dhe shumë të komentuar nga mediat për qëllimet e saj.
NOA-INA
Â