Sarandë, 25 prill, NOA -Plot 300 kilogramë lëndë narkotike, e cilësuar si kanabis, po transportohej në orët e para të mëngjesit me një skaf përmes ujërave të Sarandës në drejtim të Greqisë.
Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga forcat e policisë së zonës, të cilat sqarojnë se sekuestrimi i kësaj sasie të konsiderueshme lënde narkotike u bë e mundur falë një operacioni të mirëorganizuar prej tyre.
Të dhënat paraprake tregojnë se skafi ka qenë 5 metra i gjatë dhe është bllokuar nga forcat e policisë dhe të antidrogës në vendin e quajtur "Pema e Thatë".në
Në momentin e operacionit, në skaf ndodheshin dy persona dhe policia bën të ditur se ka arritur të kapë njërin prej tyre, ndërsa tjetri është larguar për momentin në drejtim të paditur.
Ende nuk jepen të dhëna për identitetin e personit të ndaluar, ndërsa mendohet se persona të tjerë fshihen pas këtij trafiku.
Kjo është sasia e dytë e madhe që kapet në Sarandë pas operacionit në nëntor të vitit të kaluar kur policia e këtij qyteti sekuestroi po 300 kg kanabis në Delvinë.
n.e/NOA