Tiranë 25 prill NOA - Varfëria në vendin tonë ka shënuar rënie gjatë katër vitet e fundit.
Ky fakt është bërë i ditur sot nga zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu e cila iu referua studimit të kryer nga BB, PNUD dhe INSTAT për Matjen e Nivelit të Jetesës.
"Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD dhe Instituti i Statistikave në botimin e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës, kanë dhënë një panoramë të qartë e të plotë, të një prej fenomeneve më të mprehta ekonomike e sociale të çdo vendi në botë, siç është problemi i varfërisë.
Ky studim ka konfirmuar edhe një herë se varfëria në vendin tonë po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë" deklaroi Bregu.
"Nga 18.5% që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4% të popullsisë, me një rënie me mbi 35% në vitet 2005- 2008, nga një rënie me 27% që ishte shënuar në periudhën 2002-2005. Ky studim veç shifrave ka konfirmuar se kanë qenë politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit" shtoi më tej zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu.
Bregu deklaroi se "këto statistika janë reale dhe konfirmojnë se politikat e ndërmarra gjatë këtyre viteve kanë qenë të suksesshme dhe nga ana tjetër na orienton drejt një detyrimi, reduktimin e treguesit të varfërisë relative me 70% dhe eliminimin e plotë të varfërisë ekstreme në vend".
Sipas Bregut shpjegimi i vetëm i uljes së varfërisë kanë qenë politikat e qeverisë si, dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale, lehtësirat e të bërit biznes, taksat e ulëta, apo dhe programet e zhvillimit rural, investimeve publike.
k.k/NOA